Meta: Të votojmë tre ligjet. Emërimet në Gjykatën e Lartë, me karakter partiak
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u kërkoi kryetarëve të dy partive të mëdha, Sali Berisha dhe Edi Rama, që të votojnë tre ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Meta, që pretendon se ka flamurin e forcës që udhëheq integrimin, tha se ligjet duhen miratuar me konsensus për të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat. Ai tha se ligjet duhen miratuar që në këtë legjislaturë.
Politika duhet të reflektojë nga e shkuara konfliktuale, tha Meta.
Të bëjmë të mundur që këto 3 ligje të miratohen tani që jemi në mbyllje të sesionit parlamentar, në mënyrë që vendi të sigurojë mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. Nëse nuk tregohet vullnet, çështja e miratimit të këtyre 3 akteve mbetet një përgjegjësi shumë e madhe për parlamentin e ri dhe pak shanse që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti, tha Meta.
Sipas tij, me miratimin e rregullores së re të parlamentit, legjislativi i ri pas 23 qershorit të fillonte punën me një rregullore të re sipas standardeve më të mira.
Meta theksoi rëndësinë e miratimit të ligjit për statusin e nëpunësit civil, pasi sipas tij, ligji aktual lejon shumë hapësira për hakmarrje politike.
Lidhur me ligjin për Gjykatën e Lartë, kreu i LSI-së tha se është i rëndësishëm miratimi i këtij ligji, nisur edhe nga disa emërime të nxituara në gjykata kohët e fundit, që ngjajnë më shumë me karakter partiak se lëvizje që synojnë forcimin pavarësisë së gjyqësorit.
Lidhur me projektligjin tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili ka të bëjë me disa ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe për të cilin kërkohet një shumicë e cilësuar sipas nenit 81 të Kushtetutës dua të theksoj se ndryshimet të cilat propozohen kërkojnë të përshtatin Gjykatën e Lartë me kërkesat e ligjit të miratuar për Gjykatën Administrative. Krijimi i Kolegjit Administrativ natyrshëm të çon në rritjen e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, prandaj është e rëndësishme, duke u nisur edhe nga disa emërime të nxituara të bëra në disa nga gjykatat më të larta kohët e fundit, të cilat duken më shumë si veprime me karakter partiak se sa si lëvizje që synojnë të forcojnë pavarësinë e drejtësisë dhe të gjyqësorit, ne propozojmë që efektet e zbatimit të këtij ligji ti tejkalojnë interesat politike të ditës nisur nga fakti që vendi ka nevojë për Gjykatën Administrative, por njëkohësisht lidhur edhe nga domosdoshmëria që kjo gjykatë të jetë krejtësisht e pavarur. Pra ne propozojmë që miratimi i këtij projektligji të shoqërohet me garancinë që ky projektligj të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti, në kohën kur konstituohet kuvendi i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, tha Meta./ep
