E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRD, Oketa: Do të përfaqësojmë interesat e shtresës së mesme

Selia e partisë Fryma e Re Demokratike

UPDATE – Partia Fryma e Re Demokratike në deklaratën e parë ka paraqitur për publikun orientimin e saj politik. Deputeti, Gazmend Oketa, deklaroi se FRD do të përfaqësojë interesat e klasës së mesme si dhe të pronarëve dhe të përndjekurve.

FRD përfaqëson interesat e shtresës së mesme të shoqërisë shqiptare, të krijuar me shumë mund. Ajo përbën shtyllën e stabilitet por nuk është denjësisht e përfaqësuar politikisht. Të dy partitë që kanë alternuar pushtetin, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, janë themeluar para krijimit të kësaj shtesë. Këto dy parti nuk i kanë paraprirë me idetë dhe programin e tyre por kanë mbetur prapa, u shpreh Oketa.

Gjatë fjalës së mbajtur, deputeti i qarkut të Durrësit, u shpreh se FRD angazhohet të zgjidhë problemin e pronës dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë.

FRD zotohet për zgjidhjen e shpejtë të këtyre dy problematikave, jo për klientelizëm politik por sa më shpejt të zgjidhen këto dy çështje aq më e mbarë do të jetë e ardhmja e vendit. Pa zgjidhjen e këtyre dy padrejtësive nuk mund të mbyllet shkëputja nga e shkuara, nënvizoi Oketa.

Lidhur me afrimin Topit tek kjo parti, ai nuk dha një përgjigje por fakti që Kuvendi themelues i kësaj partie do të mbahen në vjeshtë, do të thotë se atëkohë Topi do ta ketë të hapur rrugën për tu bërë kryetari i saj. Sa i takon qëndrimit politik në Kuvend, pasi kjo parti do të përfaqësohet nga Oketa, vetë ai nuk qartësoi asgjë për votën lidhur me presidentin e ri. /F.Stafa/

*   *   *

Logoja e FRD-së

Spektrit të djathtë të politikës shqiptare, sot, zyrtarisht, është shtuar një parti e re. Fryma e Re Demokratike, ka si komision nismëtar për krijim deputetin e qarkut të Durrësit, Gazmend Oketa, i cili tashmë është larguar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Përveç Oketës, kësaj partie pritet t’i bashkohen edhe shumë figura të tjera të së djathtës, të larguar apo distancuar nga Partia Demokratike.

Pritet që presidenti Bamir Topi, të marrë drejtimin e saj pas përfundimit të mandatit si President i Republikës (24 korrik).

Në daljen e fundit publike, Topi deklaroi se do të rikthehet në politikë si misionarë duke qenë se në PD, tashmë ia kanë mbyllur derën. Duke folur për marrëdhëniet me PD-në, Topi është shprehur se është kapitull i mbyllur” duke shtuar se më së shumti është sulmuar nga përfaqësues të kësaj partie të emëruar nga kryetari dhe që nuk kanë asnjë kontribut për Partinë Demokratike.

/F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›