E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjendje skandaloze e infrastrukturës së qytetit, në prag të sezonit turistik”

30-04-2012 / Gazeta 55

Bashkia e Vlorës harron turizmin, reagon LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar nga qyteti i Vlorës për gjendjen e mjeruar të aksit të vetëm rrugor tek Uji i Ftohtë nga ku kalojnë makinat që lëvizin drejt rivierës.
Në një prononcim për mediat, Sekretari Ndërkombëtar, njëkohësisht i Deleguar i LSI për Qarkun Vlorë, Ralf Gjoni, u shpreh se gjendja jashtëzakonisht e degraduar e aksit të vetëm kombëtar tek Uji i Ftohtë është e pa tolerueshme dhe se Bashkia e Vlorës duhet urgjentisht të nisë riparimin pa humbur kohë.
“Gjendja e mjeruar e rrugës dalëse tek Uji i Ftohtë është e pa tolerueshme. Ndërkohë që po punohet për të zgjeruar tunelin nga ana tjetër, Bashkia duhet të kishte marrë masat për riparimin e aksit të vetëm kombëtar nga ku sot tentohet të kalohet në dy drejtime. Ndërkohë që për shkak të rrjedhjes së shumtë të ujit dhe të gropave e pusetave që janë hapur, si dhe ndërtimeve totalisht katastrofike në këtë zonë, kjo rrugë është bërë e pakalueshme. Çdo ditë këtu në hyrje të Vlorës, rruga bllokohet mesatarisht 15-20 herë, duke shkaktuar një stres të panevojshëm dhe vonesa irrituese për udhëtarët e turistët”, tha Gjoni.
Ndërkohë që portat hyrëse dhe dalëse të Vlorës duhet të ishin krenari e imazhit të qytetit, sot kjo hyrje-dalje të lë vetëm shije të keqe të qytetit bregdetar, tha Gjoni, duke shtuar se turistët vendas e të huaj, ndjehen tejet të zhgënjyer nga neglizhenca dhe paaftësia e Bashkisë për të riparuar vetëm disa qindra metra rrugë.
“LSI, u shpreh Gjoni, kërkon nga Bashkia e Vlorës, ndërhyrjen urgjente dhe riparimin e menjëhershëm të këtij aksi, fatkeqësisht kombëtar, në interes të qytetarëve dhe turistëve gjithnjë në rritje në këtë prag sezoni turistik”.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›