E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH, letër 8 ambasadorëve: Edi Rama na shkriu Forumin

Letra ka mbërritur në dorën e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, kreut të OSBE-së, Eugen Volfarth, ambasadorit të BE-së, Etore Sekui, ambasadores së Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham, ambasadores gjermane Carola Muller Holtkemper, ambasadores franceze Maryse Daviet, ambasadorit holandez Henk Van Den Dool dhe ambasadorit danez të Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen.

Rreth 22 drejtues të Forumit Rinor nga qytetet kryesore të vendit, shprehen se në mënyrë njëanshme dhe të padiskutuar me askënd, kryesocialisti vendosi të ndërpresë çdo proces zgjedhor të të rinjve.

“Ne, përfaqësues të lartë të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë (FRESSH), të shqetësuar në përvijimin shkatërrues që është duke iu imponuar Forumit tonë, lutim vëmendjen Tuaj për këtë situatë shumë serioze. Me vendim unilateral të kryetarit të Partisë Socialiste, z. Edi Rama, në mbledhjen e strukturave rinore të datës 21 shtator 2011 të thirrur nga drejtuesi i komanduar për Tiranën, z. Saimir Tahiri, është urdhëruar nga z. Edi Rama, i pranishëm në këtë mbledhje: Zerimi (0) i të gjitha strukturave të Forumit Rinor Eurosocialist, duke shuar kështu çdo kontribut të çdo të riu ndër vite”, thuhet në letrën e drejtuesve të FRESSH-it. Ata shprehin mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që kanë marrë nga organizata dhe fondacione politike të këtyre vendeve në promovimin e të rinjve në politikë.

Duke dhënë më tej detaje të vendimmarrjes së kreut socialist për Forumin Rinor, drejtuesit shprehen se përveç komandimit të deputetit të Tiranës, Saimir Tahiri, për të riorganizuar FRESSH-in, Rama ka vendosur dhe anulimin e kongresit zgjedhor të tyre. “Kreu socialist vendosi moslejimin e mbajtjes së kongresit të FRESSH-it, i cili ishte i planifikuar që prej datës 15 janar 2011. Kongresi i fundit është zhvilluar në vitin 2006 dhe prej më shumë se 6 vitesh ne pengohemi dhe nuk lejohemi të zhvillojmë organizimin tonë legjitim; moslejimin e mbledhjes së Asamblesë Rinore të FRESSH-it dhe të asnjë procesi tjetër zgjedhor brenda FRESSH-it”, thuhet në letrën e tyre.

Kërkesat

Pasi parashtrojnë shqetësimet e tyre, që kanë ardhur nga një vendim i Edi Ramës për të ardhmen e Forumit Rinor, drejtuesit e FRESSH-it, të cilët nuk kanë firmosur, por kanë vendosur numrin e kartës së tyre të identitetit, japin dhe disa kërkesa, të cilat i cilësojnë si vendimtare për funksionimin më të mirë të Forumit. “Të mbahet kongresi i FRESSH-it brenda datave 24-30 tetor 2011, jo vetëm për të legjitimuar strukturën drejtuese të këtij Forumi.

Përfaqësimin; a) Në Kongresin e PSSH-së me 100 delegatë të përzgjedhur si anëtarë të FRESSH; b) Në Asamblenë Kombëtare të PSSH-së 30 anëtarë të përzgjedhur nga FRESSH; c) Në listat fituese për deputetë, 12 anëtarë, përkatësisht një për çdo qark”, thuhet në letrën e tyre. Gjithashtu ata kërkojnë që Forumi të jetë i pavarur nga PS. “Kryetari i FRESSH duhet të jetë automatikisht në Kryesinë e PSSH-së, me të drejtë vote. Njohja nga Kryesia dhe lidershpi i PSSH-së i Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë, si një organizëm i pavarur dhe mbështetës i PSSH-së. Anëtarësimin me të drejta të plota të FRESSH në organizatat rinore të së majtës europiane”, thuhet në letrën e 22 drejtuesve të Forumit Rinor Socialist.

22 drejtues  të Forumit Rinor Socialist iu drejtuan me një letër ambasadorëve më të rëndësishëm në Tiranë për vendimin e marrë nga kryesocialisti Rama për shkrirjen e Forumit. Drejtues të disa degëve në qytetet kryesore të vendit, të rinjtë i kanë cilësuar jodemokratike procedurat e shkrirjes së degëve pa bërë asnjë analizë të punës dhe rezultateve të tyre.

Pretendimet

Edi Rama vendosi:
1. Zerimi (0) i të gjitha strukturave të Forumit Rinor Eurosocialist, duke shuar kështu çdo kontribut të çdo të riu ndër vite.
2. Komandimin e Saimir Tahirit, i cili vetë është me statusin e të komanduarit në krye të PS-së Tiranë, për të vendosur ai mbi të gjithë ristrukturimin tanimë të FRESSH.
3. Shkrirjen e strukturës vertikale të këtij forumi dhe zëvendësimin e saj me një strukturë jo të FRESSH-it dhe me të vetmin drejtues të komanduar, z. Tahiri.
4. Moslejimin e mbajtjes së kongresit të FRESSH, i cili ishte i planifikuar që prej datës 15 janar 2011. Kongresi i fundit është zhvilluar në vitin 2006 dhe prej më shumë se 6 vitesh ne pengohemi dhe nuk lejohemi të zhvillojmë organizimin tonë legjitim.
5. Moslejimin e mbledhjes së Asamblesë Rinore të FRESSH dhe të asnjë procesi tjetër zgjedhor brenda FRESSH.

Kërkesat e firmëtarëve

.Mbajtjen e kongresit të FRESSH brenda 24-30 tetor 2011, jo vetëm për të legjitimuar strukturën drejtuese të këtij forumi.
.Përfaqësimin në Kongresin e PSSH me 100 delegatë të përzgjedhur si anëtarë të FRESSH.
.Në Asamblenë Kombëtare të PSSH, 30 anëtarë të përzgjedhur nga FRESSH.
.Në listat fituese për deputetë, 12 anëtarë, përkatësisht një për çdo qark.
.Kryetari i FRESSH duhet të jetë automatikisht në Kryesinë e PSSH, me të drejtë vote.
.Njohja nga Kryesia dhe lidershipi i PSSH i Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë, si një organizëm i pavarur dhe mbështetës i PSSH.
.Anëtarësimin me të drejta të plota të FRESSH në organizatat rinore të së majtës evropiane. /Panorama/Start/

                                                                                             2011-10-01 10:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›