Reportazh/Pelegrinazhi legalist në Paris, nën shenjën “Atdheu mbi të gjitha”
Në vazhdën e veprimtarive për nder të Njëqindvjetorit të Pavarësisë, degët e PLL në Francë e në Belgjikë organizuan bashkërisht homazhe në varrin e Ahmet Zogut, në Paris, në pesëdhjetenjëvjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë
E shtunë, 7 prill 2012, Bruksel – Paris e kthim.
Nga vendi ku u grumbulluam, përpara Xhamisë Shqiptare të Brukselit në avenue Rogier 60, deri në varrezat Thiais të Parisit, në avenue Fontainbleau 261, ku prehen ende për ca kohë eshtrat e Mbretit Zogu i Parë, udhëtimi zgjati katër orë. E dija se udhëtimi me autobus do të ishte i lodhshëm, ngase kisha qenë për pelegrinazh edhe herë të tjera. Katër orë vajtje, katër të tjera ardhje, koha e homazheve, pushimet e domosdoshme për të ngrënë diçka, për të pirë një kafe ose për të tymosur një cigare, donte me thënë jo më pak se tre-katërmbëdhjetë orë udhëtim. Por kësaj here ia vlente. Nuk mund të mos i përgjigjesha ftesës së Sulejman Gjanës, nënkryetar i PLL dhe kryetar për degën e saj të Belgjikës. Do të ishte pelegrinazhi i fundit në Paris për të bërë homazhe në varrin e themeluesit të shtetit modern të shqiptarëve, sepse, siç është bërë tashmë e ditur, eshtrat e tij do të shpërngulen tetorin e ardhshëm në Tiranë, që të prehen përjetë të jetëve në Atdhe. Përveç kësaj, përmes bisedave telefonike me Sulejmanin, mësova se do të vinte nga Shqipëria një delegacion prej më shumë se tridhjetë vetash, anëtarë dhe simpatizantë të PLL. Do të ishin mes syresh edhe princi Leka me të fejuarën, edhe Ekrem Spahiu, miku im i kohës së provës së madhe të përkushtimit tonë demokratik e antikomunist, gjatë vitit të mbrapshtë 1997. Detyrimet ishin pafund. Kryesori dhe mbi të gjithë, detyrimi ndaj veprës së pavdekshme të Zogut të Parë, njërit ndër burrat e shquar që nderojnë piedestalin e Kombit të Shqiptarëve. Lodhja dhe ky reportazh që do ta ndiqte, ishin më e pakta që mund të bëja si pasardhës i një familjeje nacionaliste nga Devolli, krahina e fundit shqiptare me të cilën u përfal Mbreti Zog, përpara se të merrte rrugën e gjatë të mërgimit.
Ceremonia në varrezat parisiane Thiais zgjati më shumë se një orë. Të pranishëm, më shumë se dyqind bashkatdhetarë. Nuk e teproj të them se përfaqësoheshin rreth atij varri me përmasa kombëtare të gjitha trevat tona etnike, nga më të skajshmet, ato të Kosovës Veriore, deri te më jugoret, në Konispol e në Çamërinë jashtë kufijve të sotëm politikë. Nga viset shqiptare perëndimore në Malin e Zi, deri tek ato të Shqipërisë Lindore: Dibër e Madhe, Gostivar, Tetovë, Preshevë e Bujanovc. Gjithashtu, nuk e teproj aspak të shtoj se në pelegrinazhin e rastit ishin të pranishme të gjitha besimet tona fetare. Kishte në atë ceremoni, sa myslimanë, aq edhe ortodoksë; sa katolikë, aq edhe bektashinj. Mes syresh kam takuar bashkatdhetarë nga emigracioni i vjetër dhe i ri, me banim në Francë ose në Belgjikë. Kam takuar gjithashtu të ardhur nga Shqipëria, në shoqërinë e princit Leka dhe të Ekrem Spahiut. Aty takova edhe një ndër të njohurit e mi të hershëm, të viteve ’60, me të cilin s’isha parë prej më se pesëdhjetë vitesh. Ishte Tanush Frashëri, ish i burgosur politik, dhe bashkëshortja, zonja Afife (Fifi), pasardhëse e fisit të njohur Libohova dhe stërmbesë e Ismail Qemal bej Vlorës. Bashkëshortët Frashëri kishin marrë rrugën prej Austrie, në Bruksel, enkas për pelegrinazhin e Parisit, me rastin e pesëdhjetenjëvjetorit të vdekjes së Mbretit Zog, për t’u bërë homazhet e fundit në dhe të huaj eshtrave të tij.
Përfaqësohej edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Paris me Ambasadorin Ylljet Aliçkaj në krye, si edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, me Ministrin Këshilltar Gani Azemi në krye. Familja ishte e stërmadhe dhe e plotë. Ishte etnikisht dhe politikisht e pastër: shqiptare dhe demokratike.
Pas lutjeve fetare predikuar prej imamit të Xhamisë së Brukselit, Tasim Ramadanit, përshëndetën me radhë Sulejman Gjana në emër të organizatorëve, princ i Leka në emër të familjes mbretërore, Ekrem Spahiu në emër të PLL. Në gjuhën frënge, Skënder Zogu falënderoi miqtë e pranishëm francezë e belgë. Pas ceremonive zyrtare, filloi seria e fotografive te varri i Mbretit dhe vizitat në varrezë, sikush sipas dëshirës, sikush sipas lidhjeve farefisnore ose të njohjeve me ata që tashmë kanë ndërruar jetë dhe janë varrosur rreth e përqark. Sepse Mbretin, përveç familjes, e ndoqën në emigracion shumë ithtarë e besnikë të tij, të cilët parapëlqyen emigracionin përpara pushtimit fashist, sakrifikimin e familjeve të tyre prej diktaturës komuniste, përpara gjunjëzimit ndaj atij regjimi të urryer. Aty, përbri, prehen eshtrat e princ Tatit dhe të motrave të Mbretit Zog. Pak hapa më tej, në një parcelë tjetër, ato të Kolonel Hysen Selmanit, komandanti i parë i Gardës Kombëtare, më 1919, të pogradecarit Ali Çupi, të matjanëve Muharrem Gjoka, Bajram Nela e Sefedin Çollaku, të tiranasit Isuf Begeja dhe të kuzhinierit çam Zenel Çami.
Qysh më 9 prill të vitit 1961, trupi pa jetë i Mbretit Zog u vendos në një varr të thjeshtë, por të hijshëm nga ana arkitekturore. Ai ngjan me një ballkon gjysmë të harkuar prej gjashtë shtyllash, bashkuar dy e nga dy me nga një arkitra. Midis dy shtyllave të mesit, pllaka përkujtimore me stemën e Mbretërisë, emrin dhe datat e lindjes e të vdekjes. Përfund, varri mbi të cilën pushon një vazo lulesh. Sipër, në arkitra, mbishkrimi: Atdheu mbi të gjitha.
Ja ndryshimi thelbësor mes Mbretit Zogu i Parë e regjimit të tij dhe diktatorit Enver Hoxha e diktaturës komuniste, - meditoj ndërsa pelegrinët ndërrohen për të fiksuar në fotografi një kujtim të paharruar. Afro pesëdhjetë vjet, sa ishte gjallë, madje edhe pasi vdiq, diktatori e mbushi vendin anekënd me mbishkrimet rrëqethëse “Partia mbi të gjitha”. S’la banderolë të kuqe, s’la fasadë ndërtese, s’la faqe kodre e mali pa e përdhosur me atë mbishkrim antikombëtar e antinjerëzor, me të cilin izoloi vendin nga bota demokratike dhe ndërmori luftën famëkeqe të klasave, që nxirosi dhjetëra-mijëra familje shqiptare. Ja pse figura e Mbretit Zogu i Parë ishte dhe do të mbetet një simbol për shqiptarët, kudo që jetojnë. Është simboli i bashkimit kombëtar.
Prej varrezave, pelegrinët e ardhur nga Brukseli me dy autobusë dhe me shumë vetura, pushuan për një drekë të përbashkët në një nga lagjet afër varrezave të Parisit. Drekën e shtroi me shpenzimet e veta zoti Petrit Karaj, njëri ndër organizatorët e ceremonisë. Emigrant i kahershëm me banim në Paris dhe aktivist i PLL për degën e Francës, Petrit Karai është biri i të ndjerit Maliq Karaj, besnik i devotshëm i mbretërisë dhe i veprës kombëtare të Ahmet Zogut. Shtoj se, në vitet ’70, Petrit Karaj ishte ushtar i ushtrisë së Mbretit Leka.
Gjatë drekës, pata rastin të njihesha e të bisedoja edhe me veprimtarin e shquar të PLL për degën e Francës, Ylli (Hyllë) Spahia, të birin e Nezir Spahisë, gjithashtu besnik i devotshëm i Mbretit Leka. Ka plot për të treguar rreth historisë së familjes së tij, sikurse edhe për shumë familje të tjera nacionaliste që morën rrugët e emigracionit, në shenjë mospajtimi dhe kundërshtimi të hapur me regjimin vrasës që instaloi Enver Hoxha në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk mund të lë pa përmendur lindjen e njërit prej djemve të Nezir Spahisë, Korabit, bash në malin Korab ngarkuar me borë në një nga dimrat e ashpër të viteve ’50, ndërsa familja e tij linte vendin e të parëve dhe kapërcente kufirin shtetëror të Shqipërisë, për të marrë rrugët e mundimshme të emigracionit.
* * *
E diel, 8 prill 2012, në Bruksel.
Ishte tepër e ngjeshur agjenda e veprimtarive të së nesërmes, kushtuar pesëdhjetenjëvjetorit të vdekjes së Ahmet Zogut. Mëngjesin e së dielës, atyre iu shtua edhe një, e paparashikuar, e dhimbshme, e padëshiruar. Të shtunën në mesditë, si pasojë e një akti sa agresiv, aq edhe absurd, ndërroi jetë në krye të detyrës bashkatdhetari ynë Iliaz Tahiraj, punonjës i shoqërisë STIB të transportit urban të Brukselit. Me prejardhje nga Kukësi, familja e tij ka pas emigruar kaherë në Belgjikë, qysh në vitet e regjimit komunist. Princi Leka, Ekrem Spahiu, Sulejman Gjana etj. bënë një vizitë ngushëllimi në familjen e të ndjerit. Ç’ është e vërteta, lodhja e së mbrëmshmes ishte e madhe, gati e papërballueshme për takimet e mëngjesit. Ja edhe një, e papritur. Por zakonet dhe traditat e të parëve, mbi themelet e të cilave është ngritur nacionalizmi ynë, e detyronin pa një pa dy këtë vizitë.
Pasdite, në orën 15, ishim të ftuar për një bisedë në radion shqiptare të Brukselit “Jehona e Shqipes”. Në vazhdën e veprimtarive kushtuar Njëqindvjetorit të Pavarësisë, i palodhuri përgjegjës i radios dhe veprimtar i spikatur i mërgatës sonë, Sakip Skepi, synonte t’i bënte jehonë vizitës së delegacionit të PLL. Do të gufonin ndjenjat kombëtarë të bashkatdhetarëve, shumica e të cilëve i përkasin emigracionit të viteve ’50 – ’60. Në bisedë, ishim të pranishëm pesë veta: princi Leka, Ekrem Spahiu, Sulejman Gjana, poeti pejan Jeton Kelmendi dhe unë, devolliu.
Biseda në radio zgjati më shumë sesa zakonisht në programet e së dielës.
Princi Leka vuri në pah projektet e veta, të së ardhmes. Jashtë kontekstit të pozitës së vet si përfaqësues i Familjes Mbretërore, por në bashkëvajtje me idealet kombëtare të që ka trashëguar nga të parët, ai theksoi me të madhe angazhimin e vet qytetar për zgjidhjen e Çështjes Shqiptare, ende mbetur pezull. Së pari, sipas princit Leka, do të ishte e domosdoshme lidhja shpirtërore e shqiptarëve, interesat kombëtare të të cilëve përfshihen në trekëndëshin Tiranë – Prizren – Shkup. Koordinimi i veprimtarive të përbashkëta mbarëkombëtare mes politikanëve tanë, kudo që ata e ushtrojnë veprimtarinë e tyre politike, sipas princit Leka Zogu, do të ishte një hap tepër domethënës drejt së ardhmes. E rëndësishme, sipas tij, është që të jemi modernë në konceptet tona kombëtare, pa u rënë ndesh interesave kombëtare të fqinjëve, çka është imperativ i kohës dhe çka e kërkon me forcë faktori ndërkombëtar. Ndonëse trashëgimtar i ligjshëm i fronit mbretëror, ai theksoi me të madhe se asnjëherë nuk do të kërkojë titullin i mbretit, çka varet prej institucioneve të ligjshme të Republikës të Shqipërisë.
Çështjen e modernizimit të koncepteve tona kombëtare e vuri në dukje edhe poeti Jeton Kelmendi. Në këtë linjë, si shembull të tolerancës ndëretnike, ai solli bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve në Republikën e Kosovës. Nëse baraspesha prishet, kjo nuk vjen dhe nuk ka për të ardhur asnjëherë nga shqiptarët. Disa tendenca kalimtare që janë vënë re kohët e fundit lidhur me ndonjë lëvizje për të krijuar probleme kufitare me Serbinë, sipas Jeton Kelmendit, nuk përfaqësojnë aspak një dukuri shqiptare.
Lidhur me sa më sipër, Sulejman Gjana sqaroi se nacionalizmi shqiptar ka lindur si nevojë e domosdoshme vetëmbrojtjeje dhe, pas instalimit të regjimit komunist, si kundërvënie ndaj internacionalizmit proletar. Ai nuk ka qenë asnjëherë agresiv, nuk ka synuar asnjëherë të cenojë interesat kombëtare të fqinjëve. Kjo e vërtetë historike e padiskutueshme duhet të dalë në dritën e diellit pa pikë mëdyshjeje dhe këtë duhet t’ia bëjmë të qartë faktorit ndërkombëtar ne, nacionalistët e vërtetë shqiptarë. Kurrsesi nuk u duhet besuar sloganeve boshe, falë të cilave ndokush synon të mashtrojë për përfitime të çastit. Sipas tij, bashkimi i shqiptarëve në një shtet brenda kufijve të tyre etnikë, është çështje kohe. Por bashkimi kërkon domosdoshmërisht një simbol. Në mungesë të një flamuri shtetëror të përbashkët, si rrjedhojë e ndarje së shqiptarëve në disa shtete, ky simbol do të ishte mbreti, një institucion jo politik që do të qëndronte përmbi palët politike. Gjana tha se çdo tentativë tjetër e ngutshme dhe jashtë konceptit të një institucioni mbi palët, e dëmton rëndë ëndrrën shekullore të bashkimit tonë. Aq më tepër ai lloj nacionalizmi i investuar sipas nacionalizmit ekstrem që gjallon në disa vende të Europës.
Ekrem Spahiu foli për programin e PLL, në përshtatje me zhvillimet politike aktuale. Duke qenë një parti nacionaliste, tha ai, PLL mbron traditat më të vyera që ka trashëguar shoqëria shqiptare nga e kaluara. Familja dhe shëndoshja e koncepteve ndaj moralit, ndaj Kombit dhe ndaj shoqërisë janë strumbullari i politikëbërjes së Lëvizjes. Pikësynimi i saj, theksoi Spahiu, është të vërë në dukje vlerat historike të Mbretërisë Shqiptare në vitet 1928 – 1939, periudhë gjatë së cilës u konsolidua shteti dhe shoqëria jonë mbi bazat e një legjislacioni ndër më modernët e kohës. PLL e quan të ligjshme rikthimin e Mbretërisë, pasi, sipas tij, është vetmja formë qeverisëse që do të realizonte bashkimin kombëtar dhe do t’i jepte zgjidhje përfundimtare Çështjes Shqiptare. Lidhur me sa më sipër, ai iu referua një deklarate të Kryeministrit Berisha se referendumi për formën e regjimit në Shqipëri nuk mund të quhet i mbyllur. Referendumi i mbajtur në qershor të 1997, nën grykën e kallashnikovëve, nuk përfaqëson aspak vullnetin e popullit shqiptar. Ai u mbajt në një kohë të papërshtatshme. Ekrem Spahiu vuri në dukje aleancën jetike të PLL me Partinë Demokratike dhe me aleatët e saj tradicionalë. Forcat e djathta të rikthyera në pushtet më vitin 2005 janë garanci edhe për realizimin e programit të PLL.
Autori i këtyre radhëve vuri në dukje se koalicioni i sotëm qeverisës në Shqipëri është gjithëpërfshirës. Sot, për qeverisjen e vendit janë angazhuar parti që përfaqësojnë gjithë gamën e politikës së moderuar shqiptare, nga e majta, në qendër dhe deri tek e djathta nacionaliste. Në koalicion janë përfshirë edhe politikanë me pikëpamje republikane, edhe politikanë me pikëpamje mbretërore. Kjo larmi partish politike dhe pikëpamjesh të ndryshme për formën e regjimit është garanci për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Bash përballja e pikëpamjeve të ndryshme njëra me tjetrën do të na udhëheqë drejt më të arsyeshmes. Gjatë ndërhyrjes sime në bisedë, theksova se, sipas meje, e djathta ekstreme në Shqipëri nuk ekziston, ose tenton të formësohet me lojëra ngjyrash të flamurit tonë kombëtar. Por nuk mungon e majta ekstreme me përfaqësues pasardhës të udhëheqjes komuniste, me pasardhës të bllokmenëve dhe me turli lloj ekstremizmash. Me këtë rast, solla në kujtesë të dëgjuesve investimin e dyshimtë të ca shoqatave që synojnë të përlyejnë imazhin e pastër të moralit shqiptar. Synimin për prishjen e moralit tonë, më mirë sesa çdo përpjekje imja për ta vërtetuar, e ka vulosur lideri i opozitës së majtë me daljet e tij lakuriqe në publik.
* * *
Mbrëmjen e së dielës, bashkatdhetarët me banim në Bruksel u ftuan nga dega e PLL për një koktej në Château de Grand-Bigard, një kështjellë mesjetare e filluar në shek. XII dhe e përfunduar në shek. XVII. Ishte i pranishëm edhe gjithë delegacion i ardhur prej Shqipërie. Aty takova sërish bashkëshortët Frashëri. Ma ka ënda ta mbyll këtë reportazh me përshtypjet e Tanushit, të njohurit tim të kahershëm. “Jam i mrekulluar, tha ai. Ishte e paparashikueshme. Ne, në Austri, ku jetojnë pak shqiptarë shpërndarë lart e poshtë në një sipërfaqe afro tri herë sa Shqipëria, ndihemi si gur i lëvizur vendit. Ju, këtu, në Belgjikë, plot shqiptarë në një sipërfaqe pothuajse sa ajo e Shqipërisë, qenkeni kaq të lidhur, kaq të bashkuar. E mrekullueshme! Vetëm bashkimi pa pretendime partiake, pa dasi krahinore e fetare mund ta jetësojë ëndrrën tonë...”