E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRPD, nismë të re, një program kombëtar debati



Forumi Rinor i Partisë Demokratike prezantoi dje nismën më të re, atë të krijimit të një debati kombëtar mes të rinjve. “Programi Kombëtar i Debatit”, quhet nisma që FRPD-ja e drejtuar nga Gerti Bogdani do të krijojë me Jarl Hjalmarson Foundation, një aktivitet rinor i cili do të zhvillohet në fillim të majit. Në fjalën e rastit, kryetari i FRPD-së, Gerti Bogdani, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë përmes aktiviteteve formuese e edukuese dhe sqaroi se si aktivitete të tilla shërbejnë për të ofruar një qasje alternative për të rinjtë të cilët kanë dëshirë të angazhohen në politikë. Ai gjithashtu tha se një sipërmarrje e tillë shkon në një linjë dhe me misionin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, për të ofruar hapësira, të cilat të rinjtë të kenë mundësinë t’i përdorin sipas ambicieve të tyre. YDD-ja është një program i cili do të vazhdojë të zbatohet edhe pas këtij aktiviteti dhe si një program i atashuar FRPD-së, synon të veprojë në çështje që kanë lidhje me ngritjen e kapaciteteve të të rinjve që kanë dëshirë të japin kontributin e tyre në politikë. Ky aktivitet është një debat mbarëkombëtar, i cili do të përfshijë studentë nga të gjitha universitetet shqiptare qofshin këto publike apo private. Kjo është faza e parë, e cila konsiston në prezantim dhe do të ndiqet nga faza e përzgjedhjes, trajnime e do të përmbyllet me debatin. Me anë të këtij debati të rinjtë inkurajohen të zhvillojnë aftësitë e tyre debatuese e argumentuese, të zhvillojnë të menduarit kritik si dhe të përballen e të reagojnë ndaj mendimeve e argumenteve të ndryshme nga ato personale. Po ashtu, ata do të kenë mundësi të jenë në kontakt me bashkëmoshatarët e tyre dhe të zgjerojnë apo krijojnë rrjete bashkëpunimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›