E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon ashpër Partia Demokratike, pas miratimit të lejeve në KRRT



Kryetari i bashkisë, Edi Rama, mblodhi dje KRRT-në e Tiranës, nga ku miratoi 12 leje ndërtimi. Reagimi ka qenë i ashpër nga Partia Demokratike. Deputeti Ferdinand Xhaferri depozitoi kërkesën me 35 firma deputetësh për një komision hetimor ndaj Edi Ramës. Ndërkohë, reagoi ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe PD-ja

Konflikti mes bashkisë dhe mazhorancës së djathtë shënoi dje kulmin e tij. Kreu i Bashkisë së Tiranës mblodhi KRRT-në dhe miratoi 12 leje ndërtimi, duke marrë në krahun tjetër një reagim të ashpër. PD me përfaqësuesit e saj kanë bojkotuar KRRT-në dhe akuzojnë Ramën për korrupsion në dhënien e lejeve. “Në mbledhjen e radhës të zhvilluar sot, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ka miratuar një sërë projektesh të propozuara nga Bashkia e Tiranës, si dhe 12 kërkesa për leje dhe sheshe ndërtimi”, - ishte njoftimi zyrtar nga Bashkia e Tiranës. Reagimi ishte i menjëhershëm nga Partia Demokratike. Deputeti Ferdinand Xhaferri depozitoi kërkesën zyrtare në Kuvend, për të ngritur komisionin hetimor, për të hetuar veprimtarinë e Edi Ramës dhe dhënies së lejeve të ndërtimit. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se Rama derdhi lot krokodili për kartat, krizën ekonomike dhe njëkohësisht dha 19 leje ndërtimi në një ditë. Reagim i ashpër erdhi edhe nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

Ndërkohë komisioni hetimor pritet të ngrihet javën e ardhshme. “Komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij plani rregullues”, - deklaroi Ferdinand Xhaferri. Rreth 35 deputetë të PD-së kanë firmosur nismën parlamentare. Komisioni hetimor do të përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga shumica parlamentare dhe 4 nga opozita. Kryetari i tij do të jetë nga grupi politik nismëtar, ndërsa nënkryetari nga opozita. PD-ja ka deklaruar se brenda tri javësh do të formulojë një raport që do t’i dërgohet drejtësisë. Kërkesa e PD-së për komisionin parlamentar hetimor shkruante se do të veprojë “për hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës në periudhën 2007 e në vazhdim”.

Gjatë një takimi që pati me banorët e Komunës Dajt, ministri Sokol Olldashi deklaroi se Rama ka ngritur një sistem korrupsioni. Olldashi tha se Rama ka firmosur leje ndërtimi me konflikt të hapur interesi. Nga ana e saj, zëdhënësja e selisë blu deklaroi se Rama vendosi dhe kodin më të madh të mafies dhe kartelit të ndërtimit. “Rama zgjodhi ditën kur vetë mori 19 leje ndërtimi, për të derdhur lot për krizën ekonomike sot (dje) ditën, kur ai vendosi dhe kodin më të madh të mafies dhe kartelit të ndërtimit. Sot pikërisht doli dhe derdhi lot krokodili për krizën ekonomike. Për rënien e të ardhurave. Për dështimin e procesit të zgjedhjeve. Për garantimin e të drejtës së votës. Z. Rama, as me deklaratat që bën, e me asgjë tjetër s’do mund të mbrosh e të heqësh vëmendjen nga karteli i mafies së ndërtimit që ti drejton”, - deklaroi zëdhënësja Mëhilli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›