Oketa në Paris, bashkëpunim me ushtrinë franceze
Ministri Mbrojtjes, Gazmend Oketa, zhvilloi një vizitë zyrtare në Francë ku u takua me homologun e tij, Herve Morin. Të dy ministrat vendosën theksin tek bashkëpunimi dypalësh nëpërmjet zhvillimit të planeve afatgjata të dyanshme në fushat e arsimimit, stërvitjes, logjistikës etj. Ministri Morin çmoi vendimin e qeverisë shqiptare për rritjen e kontributit me trupa paqeruajtëse në Afganistan, duke shprehur njëherësh edhe mirënjohjen për kontributin e palës shqiptare me trupa paqeruajtëse në Çad, në operacionin e udhëhequr nga BE-ja, si dhe vijimin e tij nën udhëheqjen e OKB-së, ku trupat shqiptare bashkëveprojnë me trupat ushtarake franceze. Ministri Oketa vlerësoi marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes, duke theksuar se marrëdhëniet ushtarake midis dy vendeve tona janë në nivelet më të mira dhe shprehu bindjen se do të vijojnë të jenë të tilla edhe në të ardhmen.