Një hetim i pashmangshëm
Ndërtimet në kryeqytet vazhdojnë të bëhen pa u bazuar në një plan rregullues të miratuar nga Këshilli Rregullues i Tiranës, ndërkohë që në prag të zgjedhjeve parlamentare, KRRT-ja nën drejtimin e Edi Rama po jep leje ndërtimi dhe sheshe ndërtimi çdo dy javë. Kryebashkiaku ka heshtur përballë presionit publik të bërë nga një pjesë e anëtarëve të KRRT-së, përfaqësues të qeverisë dhe PD-së, të cilët kërkojnë ndalimin e dhënies së lejeve, duke kërkuar miratimin më parë të planit rregullues. Përpos kësaj, ata e akuzojnë kryebashkiakun për korrupsion të hapur në procedurat e dhënies së këtyre lejeve. Heshtja e Ramës dhe vendimmarrja e tij pa përfillur mungesën e anëtarëve të mazhorancës ka detyruar këtë të fundit të nisë aksionin politik. Dje është depozituar zyrtarisht në Kuvend kërkesa e më shumë se 35 deputetëve, për të nisur një hetim parlamentar karshi kreut të bashkisë më të madhe në vend, për shkelje të procedurave dhe korrupsion në dhënien e lejeve të ndërtimit. Duket sikur mazhoranca po përsërit vetveten shumë vite pas një hetimi të ngjashëm parlamentar për Ramën, kur ai pritej të merrte mandatin e dytë në krye të kësaj bashkie, në vitin 2003. Një hetim që në fund rezultoi me disa dosje, të cilat për fat të keq vazhdojnë të flenë nën pluhurin e prokurorisë, pa marrë një përgjigje zyrtare. Po sa i nevojshëm ishte një hetim i dytë parlamentar për Edi ramën? Mazhoranca duket se e sheh këtë si rrugën më të përshtatshme për të ngritur zërin e saj ndaj veshit të shurdhër të kryebashkiakut. E ndoshta si rrugën e vetme ligjore me të cilën ajo mund reagojë, ndërkohë që akuzat për korrupsion në biznesin e ndërtimit kanë gjetur gjithashtu veshin e shurdhër vetëm pak metra larg bashkisë, në Prokurorinë e Përgjithshme. Kur zyra e prokurorisë u mjaftua me disa akuza në median e përditshme për të ngritur akuzë ndaj biznesmenit boshnjak, Damir Fazlliç, apo çështje të tjera, jo vetëm që nuk ka gjetur “kohë” të hapë dosjet e komisionit “Rama 1”, por ka shpërfillur akuzat e Kryeministrit të vendit dhe të partisë në pushtet, si dhe akuzat konkrete të anëtarëve të KRRT-së për abuzime dhe korrupsion në dhënien e lejeve të ndërtimit. Gjatë qeverisjes së Edi Ramës më shumë se 8 vjet në krye të bashkisë më të madhe në vend, qyteti i Tiranës është zgjeruar nga të katër anët, duke pasur si zhvillim kryesor ndërtimin. Por pavarësisht akuzave, jo vetëm nga politika, por dhe nga palë të tjera të interesuara në këtë mes, asnjë hetim nuk ka pasur për këto ndërtime. Nuk dihet se çfarë do të nxjerrë në dritë komisioni “Rama 2”, por shumë pyetje kanë nevojë për përgjigje. A ka pasur klientelizëm në dhënien e lejeve të ndërtimit? A merr kryebashkikau 15 ose 20 për qind të fitimit për çdo leje që jep? A ka korrupsion dhe sa i thellë është ai në këtë sektor? Pse 8 vjet rresht në Tiranë është ndërtuar sipas “dëshirës” së kreut të bashkisë, pa një plan rregullues? Qytetarët e Tiranës janë të parët që kanë nevojë për këto përgjigje.