Presidenti dekreton ndryshimet në ligjin e të përndjekurve
Presidenti Bamir Topi dekretoi dje ndryshimin në ligjin e ish-të përndjekurve politikë. Ndryshimi i ligjit përmban dy komponentë. Sipas ndryshimit të parë, dëmshpërblehen ish-të pushkatuarit pa gjyqe, si dhe përfitimin mund ta marrin nipërit ose vëllezërit, në rast se nuk ka trashëgimtarë të drejtpërdrejtë. Ai parashikon dëmshpërblim për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30 nëntor 1944 - 1 tetor 1991. Një tjetër komponent i këtij ligji është që të gjithë ata që përfitojnë, kanë afat deri në datën 1 korrik të këtij viti, të bëjnë gati dokumentacionin. Fondi për vitin 2008 do të shpërndahet së shpejti, por njëkohësisht është premtuar se në muajin maj do të çelet edhe fondi për vitin 2009, i cili është 20 milionë dollarë. Sipas ndryshimit në ligj, përfitojnë dëmshpërblim pasardhësit, si vëllezërit dhe nipërit e të gjithë atyre që janë pushkatuar apo që kanë vuajtur në kampet me gjemba. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me shtyrjen e afatit të kërkesave për të kërkuar dëmshpërblim.