E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfliktet për pronësinë, Madhi: Drejtësia ka dështuar



Vetëm pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, ku shteti u penalizua me 450 mijë euro për një vendim të padrejtë, kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, e cilësoi këtë si një dështim të madh të drejtësisë shqiptare. “Gjykatat tona kanë shumë mangësi, sepse zhvillimi i procedurave të gjykimit në kohë të zgjeruar, nga ana tjetër, dhënia e vendimeve haptazi të padrejta që kanë zgjatur konfliktet, tregojnë që sistemi gjyqësor në fushën e pronave ka treguar dobësi, të cilat kanë cenuar rëndë edhe besueshmërinë në drejtësinë e dhënies së vendimeve të tyre”, - tha Madhi. Sipas deputetit republikan, duhen ndryshime në ligj, nëse kërkohet që raste të tilla të mos përsëriten. “Të vihemi përpara detyrimesh për të hartuar programe konkrete, platforma konkrete për t’i dhënë fund kësaj çështjeje”, - shtoi ai.

Topi: Drejtësia të respektojë ligjet

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim pune në ambientet e Pallatit të Brigadave, me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të republikës italiane, Francesko Amirante dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë, nga ku tha që drejtësia duhet të respektojë ligjet dhe Kushtetutën. Në vijim të bisedës, me cilësinë edhe të kryetarit të KLD-së, ai vuri në dukje zbatimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjeve nga institucionet gjyqësore në vend është një detyrim përparësor dhe se shteti dhe institucionet shqiptare janë të angazhuara maksimalisht në këtë drejtim, në mënyrë që të rrisin besimin tek shqiptarët në sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër, Amirante tha se janë shumë të vyera vizitat e ndërsjellta mes drejtueseve të institucioneve homologe të drejtësisë si dhe shkëmbimi dhe ndarja e vazhdueshme e përvojës pozitive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›