E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF, 25 mln lekë premio për fituesit e 2009-2010

 

Leonard Karaj

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratur dje më shumë se 25 milionë lekë (të reja) premio për të gjithë fituesit në të gjitha kategoritë për sezonin 2009-2010. Kampioni i ri i Superligës do të përfitojë një shumë të majme prej 10 milionë lekësh (të reja), ose rreth 2.5 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar (7.5 milionë lekë). Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, në mbledhjen e djeshme ka miratuar të gjitha shpërblimet që do të jepen në fund të sezonit 2008-2009 për Superligën, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë, kampionatet e U-19 dhe U-17, kampionen e futbollit të femrave si dhe për golashënuesin më të mirë të sezonit në të gjitha kategoritë. Në bazë të relacionit të dalë nga kjo mbledhje rezulton se Kampioni i ri i Superligës do të jetë ai që do përfitojë më shumë, ndërsa skuadra e cila do të arrijë të bëjë të vetën trofeun e dytë më të rëndësishëm në kampionatin shqiptar, Kupën e Republikës do të marrë si shpërblim një shumë prej 5 milionë lekësh. Por duhet theksuar se në ndryshim nga vitet e shkuara këto shuma do të mund të përfitohen ose cash (para në dorë) nga klubet fituese ose në formë investimi. Në këtë rast nëse do të kërkohen në këtë lloj mënyre nga vetë klubet. E njëjta gjë vlen edhe për Kampionët e Kategorisë së Parë dhe të Dytë të cilët do të përfitojnë natyrisht më pak se fituesi i Superligës. Kështu Kampioni i Kategorisë së Parë, do të marrë si shpërblim 4 milionë lekë ndërsa ai i Kategorisë së Dytë, 1 milion lekë. Risia e këtij sezoni është shpërblimi edhe për kampionen e futbollit të femrave si dhe golashënuesin e saj. Kështu për kampionen është vënë një çmim prej 1 milion lekësh, ndërsa për shënuesen më të mirë, 150 mijë lekë (të reja). Nuk janë anashkaluar as kampionatet tek të rinjtë U-19 dhe U-17 kampionët e të cilëve do të përfitojnë respektivisht, U-19, 5 qind mijë lekë dhe U-17, 4 qind mijë lekë. Ndërsa është menduar që për këtë sezon të jepet edhe një premio për skuadrën fituese të kupës “Fair Play”, e cila do të përfitojë 1.5 milionë lekë (të reja). Shpërblimet më të ulëta do të jetë ato për golashënuesit të të gjitha kategorive. Shënuesi më i mirë i Superligës do të marrë 3 qind mijë lekë të reja. Ata të Kategorisë së Parë dhe të Dytë do të marrin respektivisht nga 200 mijë lekë të reja.

Shpërblimet për sezonin 2009-2010

1. Ekipi fitues i kampionatit të Kategorisë Superiore do të marrë 10 milionë lekë (të reja).
2. Ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë, 5 milionë lekë (të reja).
3. Ekipi fitues i kampionatit të Kategorisë së Parë, 4 milionë lekë (të reja).
4. Ekipi fitues i kampionatit të Kategorisë së Dytë, 1 milionë lekë (të reja) plus 1 lekë (të reja) për të dyja fitueset e grupeve.
5. Ekipi fitues i Kampionatit të Femrave, 1 milionë lekë (të reja).
6. Ekipi fitues i kupës “Fair Play”, 1.5 milionë lekë (të reja).
7. Ekipi fitues i kampionatit të Rinjve U-19 do marrë 500 mijë lekë (të reja).
8. Ekipi fitues i kampionatit të Rinjve U-17, 400 mijë lekë (të reja).
9. Golashënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore do t’i akordohet një çmim prej 300 mijë lekësh (të reja).
10. Golashënuesit më të mirë të Kategorisë së Parë, 200 mijë lekë (të reja).
11. Golashënuesit më të mirë të Kategorisë së Dytë, 200 mijë lekë (të reja).
12. Golashënueses më të mirë të Kampionatit Kombëtar të Femrave do t’i akordohen 150 mijë lekë (të reja).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›