E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia filmike maqedonase: Bekim Fehmiu, aktor serb

 

Maqedonasit vazhdojnë “vjedhjen” e figurave shqiptare. Vetëm pak kohë pas zhurmës që shkaktoi Enciklopedia, një botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Maqedonase, institucionet kulturore të vendit fqinj, nxjerrin një tjetër “perlë”. Kësaj here bëhet fjalë për “Enciklopedinë filmike”, apo kinematografike, financuar nga Ministria e Kulturës Maqedonase, e cila vijon praktikën e botimit paraardhës. Dhe i vetmi aktor shqiptar që përmendet në këtë vepër, cilësohet serb, ndërsa ata me përmasa hollivudiane, nuk përmenden as fare. Sipas autorit të kësaj enciklopedie, Georgi Vasilevski, aktori Bekim Fehmiu është serb, në një kohë kur njihet botërisht origjina shqiptare e aktorit. Jo vetëm që Fehmiu e ka deklaruar gjithnjë që është shqiptar, por mjafton që të klikosh në internet dhe në faqe të tëra përkrah emrit të aktorit, vendoset edhe origjina e tij shqiptare, madje ai cilësohet si “i pari aktor shqiptar që ka luajtur në teatro dhe në film, në gjithë Jugosllavinë, duke ndryshuar historinë e kinematografisë së Jugosllavisë dhe la gjurmë artistike edhe jashtë saj”. Sipas autorit, vepra në fjalë është një enciklopedi që përfshin ngjarje, personalitete e krijime nga bota e filmit.
Siç njofton agjencia e lajmeve INA, në kuadër të filmave dhe aktorëve botërore vend të konsiderueshëm zënë edhe filmat dhe aktorët serbë, pastaj ata kroatë, boshnjakë, turq, për të mos folur për ata maqedonas, të cilët ngrihen në nivele botërore. Pavarësisht nga përmasat, kinematografia shqiptare nuk figuron askund dhe vetëm si shkarazi do t’i jepet një shtyllë hapësirë edhe aktorit me përmasa botërore, Bekim Fehmiut. Bekim Fehmiu prezantohet si aktor serb dhe tekstualisht thuhet se: “Bekim Fehmiu është aktor serb i filmit dhe i teatrit”. Autori i kësaj enciklopedie nuk nënvizon faktin që, më vitin 1987, në mënyrë demonstrative Bekim Fehmiu hoqi dorë nga shfaqja “Madame Kolontine” të autorit Anete Playel, edhe atë jo për shkaqe teknike, por pikërisht për faktin se serbët e kishin mbushur kupën e propagandës antishqiptare. Shtrembërimi i qëllimshëm i origjinës së aktorit është një fyerje për të dhe kanë të drejtë të gjithë ata që thonë se Ministria e Kulturës maqedonase, duhet t’i kërkojë falje publike aktorit. Në enciklopedinë e famshme filmike maqedonase, “harrohen” pa përmendur aktorët e mirënjohur shqiptarë nga Maqedonia, të cilët janë të shquar dhe të vlerësuar me çmime nga bota e filmit, duke përfshirë edhe filmat dokumentarë. Gjithashtu në nivelin e kinematografisë ndërkombëtare nuk janë përmendur aktorët e mëdhenj si: Xhejms dhe Xhon Belushi, Eliza Dushku, Luan Bexheti, apo edhe emra të tjerë. Fakti që pavarësisht përmasave të tyre, asnjë nga këta emra nuk përmendet, tregon hapur se nuk kemi të bëjmë me një rastësi, por me një veprim të qëllimshëm, që mundohet të fshijë me sa të mundet emrin dhe famën e shqiptarëve. Në rastin konkret nuk bëhet fjalë thjesht për fyerje të shqiptarëve dhe kulturës së tyre, por falsifikim të historisë botërore të kinematografisë, pjesë e së cilës janë edhe emrat e mësipërm. Ministria maqedonase e Kulturës, jo vetëm ka heshtur përballë këtij falsifikimi dhe injorimi të artit dhe kinematografisë shqiptare, por edhe e ka mbështetur financiarisht këtë botim. Botimi i kësaj “Enciklopedie Filmike” vjen pas botimit të enciklopedisë së ‘famshme’ maqedonase nga Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase, e cila ishte kontradiktore dhe fyese për historinë dhe vlerat kombëtare shqiptare. Në të jepeshin një varg të pavërtetash irrituese mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe vendosjen në trojet e tyre autoktone. Shqiptarët u quajtën jo vetëm ardhacakë, por edhe njerëz malesh, që iu “vërsulën” fushave, duke u rënë më qafë popullsisë vendase “maqedonase”, në një kohë kur dihet fare mirë se, në periudhën që pseudo-historianët i referohen, pra shek. XV, termi “Maqedoni” dhe “maqedonas” nuk njihej fare. Këtë e dëshmojnë arkivat e huaja, më konkretisht ato osmane, të mbajtura me përpikëri, gjatë periudhës së gjatë të pushtimit osman. Dhe jo vetëm kaq. Autorët nuk u tutën aspak të përvetësonin origjinat e figurave të shquara si Skënderbeu, apo Nënë Tereza. Pas reagimit të subjekteve politike e intelektuale shqiptare, u premtua se enciklopedia do të rishihej dhe do të tërhiqej nga qarkullimi. Afati i fundit ishte dje, por duket se jemi ende në pikën e nisjes. Pas gjithë asaj zhurme, deklaratash, premtimesh, etj., “kulturologët” maqedonas nuk kanë mësuar asgjë. Këtë e dëshmon botimi më i fundit i shtëpisë botuese “Kultura”, e cila vijon në rrugën e shtrembërimit të së vërtetës. Tanimë kanë nisur reagimet e para dhe duket se “jehona” e kësaj enciklopedie do të jetë po aq e madhe sa edhe asaj të Akademisë së Shkencave. Ky botim, i cili vetëm disa ditë më parë pa ditën e botimit, konsiderohet si turpi i radhës i institucioneve maqedonase, që vijojnë të ndjekin politikat antishqiptare të kohës së Millosheviçit, si një përpjekje e dështuar për të ndërtuar një ngrehinë, themelet e së cilës nuk ekzistojnë. Në momentin e një krize të hapur identiteti, një shtet pa emër, përpiqet ta krijojë atë, duke përvetësuar e duke hedhur baltë mbi atë të fqinjëve.

Dita e fundit për redaksinë e vjetër

Shkup - Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, sipas paralajmërimit të kryetarit Georgi Stardelov, sipas agjencisë së lajmeve maqedonase, MIA, dje duhet që të shkarkonin redaksinë e Enciklopedisë maqedonase dhe do të fillonin përgatitjet për formimin e një redaksie të re. “Do të merren vendime që do të jenë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e Akademisë. Do të marrim vendim të fillojë përgatitja për redaksinë e re të Enciklopedisë maqedonase. Procedura është përcaktuar në mënyrë statutore. Kjo do të shkojë në të gjithë sektorët, që do të propozojnë kandidatë të tyre dhe kështu do të formohet redaksia, e cila pastaj ndërmjet saj do të zgjedhë kryeredaktorin e vet”, deklaroi Stardelov. Në redaksinë e re do të përfaqësohen të gjitha komunitetet etnike në Maqedoni, ndërsa formimi i saj do të vazhdojë të paktën një muaj. Pas kësaj, siç tha kryetari i ASHAM-it do të jetë përgjegjës “për fatin e mëtejshëm të enciklopedisë”, do t’i përcaktojë prioritetet dhe do të vendosë për korrigjimet. Akademiku Bllazhe Ristevski, redaktori kryesor i enciklopedisë së parë kombëtare, këto ditë ka deklaruar se nuk do të lejojë që redaksia e re në përgatitjen e botimit të ri të përdorë materiale nga publikimi që e krijoi redaksia e tij.
Sardelov nuk është i njohur nëse me autorët e teksteve është lidhur marrëveshje dhe theksoi se për çështjet autoriale  kompetente është gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›