FSHF: Ankesë në UEFA. Duka ankohet te Platini

Mbeti shumë i hidhëruar nga gjithcka ndodhi gjatë ndeshjes Shqipëri-Holandë, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nuk i mbeti gjë tjetër vecse të ankohet te miku i tij, Mishel Platini, presidenti i UEFA-s. Bosi futbollit shqiptar nuk mund të pranonte të bënte kurrsesi rolin e "viktimës së bindur", por edhe as atë si përfaqësues i një kombi të vogël, që pranon cdo verdikt, qoftë ky edhe i gabuar.
Letra me ankesa
Federata Shqiptare e Futbollit është ankuar dje zyrtarisht përmes një letre në qeverinë e futbollit europian, UEFA, në lidhje me vendimet e dyshimta të gjyqtarit anglez Majk Rili, gjatë ndeshjes Shqipëri-Holandë, të fituar nga skuadra e Marko Van Bastenit, në minutën e fundit të takimit. Drejtuesit më të lartë të FSHF-së e ripanë disa herë ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian. "Pasi vëzhgoi me qetësi episodet e ndeshjes Shqipëri-Holandë ku përfshihet anulimi i autogolit në minutën e 44-rt të pjesës së parë (nga holandezi Melciot), por dhe disa rasteve të dyshimta në të gjithë ndeshjen, FSHF vendosi të dërgojë në zyrat e UEFA-s në Zvicër një letër ankesë duke shpjeguar rastet dhe episodet e dyshimta me anë të pamjeve filmike", - tha zëdhënësi i FSHF-së, Lusjen Nurishmi. Pas anulimit të golit edhe kartoni i kuq i dhënë ndaj Lorik Canës mbetet një moment i errët, ashtu si dhe të padrejta ishin disa vendime të gjyqtarit anglez Rili në lidhje me faulla të dhëna për Holandën.
Telefonata e Dukës
"Ky ankim i FSHF-së vjen së rrjedhojë vendimeve të dyshimta të arbitrit të ndeshjes Majk Rili, i cili anuloi një autogol duke favorizuar në disa momente ekipin holandez". Institucioni më i lartë i futbollit shqiptar shpreh bindjen se UEFA pasi të informohet me relacionin e delegatit të ndeshjes, dhe vëzhguesit të gjyqtarëve, francezit Mark Bata, do të marrë në konsideratë ankiminin. "FSHF është e sigurt se UEFA do të marrë në konsiderate edhe ankimimin e institucionit tonë të futbollit".
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njihet si një nga miqtë e Mishel Platinisë, i cili erdhi në Shqipëri edhe gjatë fushatës për presidentin e UEFA-s. "Për këtë letër të dërguar në UEFA është vënë në dijeni edhe vetë presidenti Mishel Platini, më të cilin ka kontaktuar personalisht Presidenti i FSHF-së, Armand Duka", - thotë Nurishmi. Gjithsesi, përtej këtyre incidenteve, njëshi i FSHF-së, Duka, në emrin e tij personal dhe të gjithë skuadrës përshëndeti të gjithë tifozerinë e pranishme në stadium gjatë ndeshjes.
Autogoli
Në minutën e 44-rt, mbrojtësi holandez, Mario Melciot në tentativë për të larguar topin e dërgoi me kokë në portën e Van der Sarit, por gjyqtari anglez Majk Rili, cuditërisht e anuloi golin e Shqipërisë, pasi sipas tij, Debatik Curri kishte shkaktuar më parë një faull.
Goli
Në përfundim të minutës së parë shtesë, nga një gabim i Devi Mukës në mesfushë përfituan holandezët për të dalë në kundërsulm, Bronkohost harkoi topin te Rud Van Nistelroi, i cili me mjeshtëri goditi nga një distancë e afërt duke i bërë të pavlefshëm ndërhyrjen e Dedes dhe Currit.
Kartoni i kuq
Në minutën e 87 të takimit, kur rezultati vazhdonte të ishte ende 0-0, Rud van Nistelroi pati një konflikt me Lorik Canën. Mesfushori shqiptar u provokua dhe në nerva e sipër bëri një gjest të papëlqyeshëm ndaj Shnajderit. Gjyqtari i dha karton të kuq vetëm Canës, ndërsa e meritonte dhe holandezi.
Gjoba
Shqipëria mund të gjobitet nga UEFA për shkak të hedhjes së një shashkë nga tifozët në fushë, teksa mbrojtësi holandez Melciot , i cili po kryente rivënien anësore simuloi duke u shtrirë si goditur nga fishekzjarri i lëshuar nga 19-vjecari Rigels Gjikdhima, i arrestuar ditën e enjte nga policia shqiptare.