E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faleminderit kuq e zi!

Cdo gjë ishte magjike. Për një orë e gjysëm miliona shqiptarë anembanë botës, po shihnin të bëhej realitet një ëndërr e rrëfyer me gjysëm zëri. U desh vetëm një minutë e zezë, që realiteti të kthehej sërish në ëndërr. Dhe pas vetëm zhgënjim, inat dhe mllef. Zhgënjim për majën e kapur, por të pambajtur, inat për të mëdhenjtë e vegjël dhe mllef që nuk ka ku shfryhet për Majkëll Idiot Reilin. Por asgjë nuk na zbeh dashurinë për ata djem kuq e zi. Secili prej miliona shqiptarëve do të donte të ishte të mërkurën në mbrëmje pjesë e fushës. Të ndiente rrahjet e zemrës së cdo lojtari shqiptar, të ndiente si shpirti I jepte fuqi këmbëve që ndoshta nuk përballonin më. Të prekte nga afër mundimin titanik vetëm për krenarinë dhe përfaqësimin e vendit. Sepse ata lojtarë dhanë gjithcka, bënë gjithcka, përpara një grupi që vlente miliona e miliona euro, të mbledhur nga Reali, Mancesteri apo Liverpuli. Dhe na bënë krenarë.
Krenarë që jemi shqiptarë. Jo krenari boshe. As hipokrite. Në këta nëntë muaj të këtij viti vërtetë jemi ndjerë krenarë të mërkurën. Sepse futbolli I madh u zvarrit para Shqipërisë së vogël, por të denjë. Të paktën për një ditë, u harrua ‘mangësia' ‘pse linda shqiptar'. Këtë ndjenjë inferioriteti që e ushqejnë me cdo lloj mënyre të pistë drejtuesit tanë të të gjitha llojeve. Dhe nga këta të fundit nuk kërkohet shumë. Vetëm një e dhjeta, e shpirtit dhe e dashurisë që treguan futbollistët kuq e zi. Ata e bënë punën e tyre. Dhe e bënë në mënyrën më të shkëlqyer. Le të na bëjnë edhe një herë të vetme drejtuesit tanë krenarë, krenarë që I kemi zgjedhur, krenarë që I mbajmë me rroga, krenarë që u japim besimin, krenarë që u shkojmë nga pas, krenarë që I falim. Le të përpiqen një herë të vetme për të veshur një fanellë kuq e zi, të ndeshjes së të mërkurës, ashtu me djersë. Do të mësojnë aty se si punohet për vendin tënd, për qytetarët e tu. Si sakrifikohet për ngjyrat e flamurit tënd, aq të marrë nëpër këmbë jo shumë kilometra larg.
Të mërkurën në mbrëmje nuk ishte vetëm Shqipëria. Bashkë me të frymonte edhe Kosova. Dhe nuk ka veto në botë që të ndalë lojtarët kosovarë të luftojnë për ngjyrat e flamurit të tyre; e as të ndalojë mijërat e tifozëve kosovarë të pushtojnë shkallët e stadiumit dhe rrugët e Shqipërisë së tyre. Kjo është magjia e dhuruar nga djemtë kuq e zi.
E rrallë. Vërtetë e rrallë. E pritur prej tre vitesh. Sepse nuk po shohim asnjë mrekulli tjetër, nga ata që na premtojnë cdo ditë magji. Që padyshim do ta harrojnë menjëherë përpjekjen mbinjerëzore të ekipit tonë, për t'u dhënë gëzim e shpresë shqiptarëve. E do t'u kthehen punëve të ‘rëndomt'; përfitimeve, kalkulimeve, eleminimeve, përjashtimeve, manipulimeve, mashtrimeve. E të gjitha këto në emër të shpresës së shqiptarëve. Atë që nuk e kanë bërë për vite me rradhë, me miliona shpenzime. Por atë që e bëjnë pak lojtarë, pa menduar për shpërblimin, por vetëm për vendin dhe bashkëkombasit e tyre. Faleminderit kuq e zi. Askush nuk mund ta prishë magjinë tuaj. As Majkëll Idiot Reili, e as të papërgjegjshmit shqiptarë.
Nga Edmond Arizaj

Edhe bast ta kishte vënë, do ta bënte ndryshe...
Kur luajmë nuk na lënë, kur na lënë, s'na mbajnë gjunjët dhe kështu ndodhi këtë radhë në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Një autogol që ka habitur të gjithë, një bilbil që ka dhuruar jo-gol në portën e Holandës, një karton i kuq për Canën (në fakt i pritshëm pas reagimit që nuk ta fal kush me të verdhë) dhe në fund një humbje, që këtë radhë kjo skuadër nuk e meritonte. Edhe shqiptarët kanë të drejtë të nervozohen, teksa deri diku shpërthyen shumë fatalisht deri në faj, teksa hodhën shashkën karshi futbollistit anglez, por kishte një arsye të madhe. Arbitri me kombësi angleze dhe në qendër të shumë "tajfuneve" të egra në futbollin anglez, i përfshirë edhe nga akuza për marrje parash, Rili, shumë i ftohtë i prerë dhe strikt, ndëshkon Shqipërinë, duke i hequr një gol brenda në fushën e stadiumit të saj. Mbi 15 mijë sportdashës live dhe përballë anglezit dhe shumë të tjerë që e ndiqnin live, nuk kanë mundur të kuptojnë se c'ndodhi me golin e shënuar nga vetë kundërshtarët, por që për "vokabolarin" taktik të arbitrit u parapri nga një faull. Edhe pse, asnjë sekuencë, pamje filmike, apo plan viziv nuk ka dhënë të qartë, nëse para autogolit, arbitri kishte fërshëllyer, c'ka mund të kishte shuar të tilla dilema. Irritimi ishte i madh, dilemat po kaq, ndërsa ftohtësia qëndronte ende në fushë në logjikën e tifozit Rili, që as golin e shënuar nga vetë holandezët nuk e quajti të vlefshëm për të tillë. Shumë e drejtë edhe përgjigjja e presidentit të FSHF-së, Duka, i pyetur në lidhje me këtë takim: "Për ndeshjen? Drejtohuni më mirë nga arbitri...". Një mërzi e shoqëruar më pas edhe me një karton të kuq të panevojshëm. Qenkesh e thënë që, të mëdhatë paskan detyrimisht edhe "mbulesën" arbitrale si dorë. Përpos kualitetit, Nistelroi që luante edhe në fraksionin e fundit të ndeshjes (duke shkuar madje edhe në gol), kontribuoi edhe bilbili, ndëshkoi dhe u privoi shqiptarëve të gëzonin, të meritonin pikën që e merituan, të hynin në head-linet e mbarë futbollit europian dhe të bënin sa më interesant grupin. Nuk deshi gjyqtari, teksa rregulloren dhe striktizmin e tij e zbatoi tek largimi i Canës dhe coroditja numerike në fushë. Rili, me precedent ndëshkues për Shqipërinë edhe më parë (kujtojmë penalltinë dhënë Danimarkës, pritur nga Lika, para disa vitesh në Kopenhagen), por edhe me shumë kaose në futbollin e vendit të tij, i vendosur, habit shqiptarët se si arriti të mos quante gol atë që vetë holandezi e la për të tillë, por që arbitri nuk e lejoi. Kishte luajtur bast vetë Holandën? Nuk mund të thuhet pa provuar? Absolutisht, jo! Edhe sikur ta bënte, edhe sikur 2-sh të kishte vënë për skuadrën holandeze, kishte mënyra të tjera, duke lënë të merrte vlerat e tij autogolin e vetë holandezit dhe t'u falte me të drejtë shqiptarëve disa minuta gëzim të avantazhit. Shqipëria po shkonte drejt barazimit, privuar nga një gol i anulluar dhe me inferioritet numerik. Nuk meritoi ky vend, ky futboll të merrte atë ndëshkim. Edhe atëherë kur luajti, edhe atëherë kur provoi dhe arriti të trembë një kundërshtar të madh me lojtarë stoli që shkojnë 100 milionë euro, edhe atëherë kur tentoi të gjente mrekullinë, e realizoi, por virtualisht një bilbil e anulloi, duke dhënë edhe sinjalin e pastër: "Here I am!". Shqipëria humbi në minutat e fundit kundër Holandës, por kësaj radhe, shqiptarët qëndruan 90 minuta në stadium dhe para TV dhe orë të tjera nën dilemën e madhe: Pse e anulloi golin. Argumentin e ka marrë me vete vetëm bilbili, që... edhe nëse bast ta kishte vënë vetë Holandën, do të gjentë rrugë tjetër "shpëtimi".
Nga Gerti Carcani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›