E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF, Disiplinori ndëshkon aktet e dhunës në Kupë

TIRANE- Komisioni i Disiplinës në FSHF ka marrë vendimet në lidhje me incidentet e ndodhura në përfundim të ndeshjes së Kupës mes Dinamos dhe Bylisit (3-0), megjithatë vetëm lojtarët dhe trajnerët janë ndëshkuar prej tij. Takimi i së mërkurës u mbyll me një përleshje mes zëvendës presidentit të Dinamos Avni Braçe dhe kreut të klubit ballshiot Besnik Kapllanaj, por asnjëri prej tyre nuk ka pësuar ndonjë masë nga vendimet e Disiplinorit. Ndërkohë, lojtari i Dinamos Marko Putincanin është pezulluar për pesë ndeshje dhe gjobitur me 100 mijë lekë për shkak se goditi me kokë një futbollist të Bylisit në sfidën e kthimit në Kupë. Tre ndeshje pezullim dhe 50 mijë lekë gjobë janë vendosur për trajnerin e portierëve të Bylisit Arbër Sino, që ka ofenduar një lojtar kundërshtar si edhe trajnerin e Dinamos Shkëlqim Muça. Ndërkohë, është gjobitur me 30 mijë lekë tekniku i Gramozit Agim Canaj, i cili ka protestuar me gjeste provokuese dhe fyese karshi arbitrit në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Po për takimet e Kupës, që u luajtën të mërkurën, futbollisti i Skënderbeut Elvis Kraja është pezulluar dy ndeshje dhe gjobitur me 300 mijë lekë, pasi ka fyer dhe provokuar arbitrin në ndeshjen ndaj Apolonisë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›