E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançini vetëofrohet: Juventusi? Jam gati

TORINO- Ndeshjet ndaj Barit e Katanias janë shumë decizive për Juventusin, por sidomos për trajnerin Çiro Ferrara, që ka përfunduar nën akuzë për rezultatet e dobta dhe për eliminimin e bardhezinjve nga Champions League. Në shtypin italian, emri që qarkullon më shumë si pasues i Ferrarës është ai i Roberto Mançinit, ish-teknikut të Interit. Në fakt, Mançini mund të ishte marrë nga drejtuesit e Zonjës që në muajt e verës, por këtu kanë ndikuar sidomos komentet e bëra prej tij kundër Juventusit në epokën e Calciopolit. “Juventusi më kërkon? Jam gati, - ka thënë Mançini në një intervistë për gazetat “Il Giornale dhe “Tuttosport”. – Tifozët le të bëjnë tifozin, ndërsa klubi të bëjë klubin. Pastaj, unë edhe kur isha tek Interi nuk e kam mbajtur asnjëherë të fshehtë se që i vogël kam qenë tifoz i bardhezinjve”, është shprehur Mançini, duke i hapur rrugën një transferimi të tij në Torino. Në fakt, emri i tij ka qarkulluar gjithnjë në ambientin juventin, por asnjëherë me zë të lartë. Kjo, pasi tifozët bardhezinj prej kohësh e kanë parë atë si një “armik që duhej luftuar”. “Në epokën e Calciopolit unë nuk kam folur kurrë keq për Juventusin, por vetëm për disa të punësuar të këtij klubi. Këtë e them vetëm për respekt të Juves, por edhe të së vërtetës”, ka shpjeguar Roberto Mançini. Kjo Juve megjithatë është duke i zhgënjyer të gjithë, përfshirë edhe vetë “Mançion”. “Isha i bindur se do të qëndronte ngjitur Interit në luftën për titullin kampion dhe se do të kualifikohej lehtësisht në Champions League. Më vjen keq për Çiro Ferrarën, sepse e di që nuk po kalon një moment të mirë”, ka deklaruar Mançini. Emra të tjerë që shihen si kandidatë për të zëvendësuar Ferrarën, janë edhe ata të Gasperinit, Xhentiles e Kaziragit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›