E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshqet toka, dëmtohen tri shtëpi

Kurbin

Tri familje në lagjen Ndërlalaj të Komunës Milot të rrethit të Kurbinit kanë mbetur në qiell të hapur, për shkak të rrëshqitjeve të tokës dhe kërcënimit të shembjes së banesave ku jetojnë. 25 pjesëtarët e këtyre familjeve janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke u strehuar te të afërmit. Sipas 84-vjeçarit Nikollë Mardedaj, dëmtimi i banesave ka nisur para dhjetë ditësh: “Nuk mendonim kurrë se shembja do të vinte deri te shtëpitë. Fillimisht nisi të shembej pjesa e vreshtave para shtëpisë, ndërsa para tri ditësh u çanë muret e shtëpisë, duke rrezikuar shembjen”. Kryetari i komunës, Vlash Gega, tha se është në dijeni të shembjes së tri banesave dhe se në atë lagje ka edhe 50 shtëpi të tjera të rrezikuara. “Por mundësia e ndërhyrjes nga ana e komunës nuk ekziston. Nuk kemi as objekte për t’i strehuar përkohësisht banorët. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë është konstatimi i dëmeve të shkaktuara nga rrëshqitja e tokës”, tha kryekomunari.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›