Tërmet 7 ballë në Haiti, mijëra të vdekur
Një tërmet prej 7 ballësh ka tronditur ditën e martë Haitin, duke shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Haitin prej më shumë se 200 vjetësh, ka lënë pjesë të vendit të varfër të Karaibeve në rrënoja, duke shkatërruar ndërtesa dhe varrosur njerëz. Tërmeti e kishte epiqendrën rreth 16 kilometra larg kryeqytetit, dhe goditi në një thellësi prej vetëm 10 kilometrash. Sipas agjencive të lajmeve, tërmeti i fuqishëm që goditi kryeqytetin e Haitit, shkatërroi thuajse gjithçka, që nga kasollet e vogla e deri tek Pallati Presidencial dhe ndërtesa e paqeruajtësve të OKB-së. Linjat e komunikimit nuk funksionojnë thuajse fare, duke e bërë të pamundur marrjen e informacionit mbi dëmet e tërmetit 7 ballësh, apo vlerësimin e numrit të të vdekurve që kanë mbetur nën mijëra ndërtesa të shkatërruara. Edhe energjia elektrike është ndërprerë në shumë zona. është e qartë se shumë njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre dhe shumë të tjerë kanë vdekur nën ndërtesat e rrënuara, të cilat ishin të dobëta dhe të rrezikshme edhe në kushte normale. Ambasadori i Haitit në Shtetet e Bashkuara, Raymod Joseph, tha për rrjetin televiziv CNN se vendi i Karaibeve ka nevojë për ndihma ndërkombëtare. Ai e quajti tërmetin, një katastrofë të përmasave të mëdha. Ish presidenti Bill Klinton, që është i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për Haitin, tha se zyra e tij dhe Kombet e Bashkuara po monitorojnë situatën dhe se janë të angazhuar për të bërë gjithçka të mundur për të ndihmuar popullin e Haitit në lehtësimin e situatës, rindërtimin dhe përpjekjet daljes nga situata. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon tha se në këtë kohë tragjedie, shqetësimi i tij qëndron për popullin haitian dhe shumë punonjës të OKB-së që shërbejnë atje. Tërmeti ra në orën 4:53, pasditen e së martës. Gjeo-fizikantja amerikane Kristin Marano e quajti këtë, tërmetin më të fuqishëm që prej vitit 1770 në vendin ku ndodhet tani Haiti. Shumica e 9 milion banorëve të Haitit janë shumë të varfër, dhe pas vitesh mungese stabiliteti politik, vendi nuk ka standarte të vërteta ndërtimi. Në nëntor 2008, pas shembjes së një shkolle në Petionville, kryetari i bashkisë i Port-o-Prinsit vlerësoi se rreth 60 përqind e ndërtesave nuk ishin ndërtuar si duhej dhe ishin të pasigurta edhe në rrethana normale. Tërmeti u ndje edhe në Republikën Domenikane, e cila ndan ishullin Hispaniola me Haitin, por atje nuk u njoftuan dëme. Në Kubën lindore, shtëpitë u tronditën por nuk thuhet të ketë pasur dëme. Haiti shtrihet në mes të rrugës së uraganeve, dhe kjo bën që stuhi të mëdha ta rrahin këtë pjesë të ishullit gjatë stinës së verës në hemisferën veriore. Përveç përmbytjeve, Haiti ka probleme edhe me thatësirën dhe tërmetet.Në vitin 2008, Haiti u shkatërrua nga 4 stuhi, të cilat shkaktuan vdekjen e qindra njerëzve dhe zhdukën 15 përqind të prodhimit ekonomik të vendit. Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zollik, vlerësoi dëmin e stuhive rreth 1 miliard dollarë.