Humb jetën në tunel punëtori turk
KUKES - Humb jetën brenda tunelit të Kalimashit punëtori turk. Viktima e parë brenda galerisë në ndërtim e sipër është Kasem Dylber, 54 vjeç, ndërsa është plagosur një punëtor shqiptar. Mësohet se ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, në galerinë e dytë të tunelit të Kalimashit, e cila pësoi shembje pak muaj më parë. Sipas burimeve, Dylberi, bashkë me punëtorin shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, po punonin në pjesën e mbledhjes së inerteve për të liruar galerinë. Në rrethana që do të jenë pjesë e hetimit manovratori i vinçit gjatë rrotullimit ka përplasur me kokën e makinerisë punëtorët. Nga goditja e fortë turku mbeti i vdekur në vend. Bashkë me një grup tjetër punëtorësh, 54-vjeçari dhe punëtori shqiptar ishin futur nga pjesa e Thirrës për në brendësi të galerisë. Trupi i tij u dërgua në spitalin e kampit turk. Vitin e shkuar dy punëtorë të tjerë humbën jetën pasi ranë nga vinçi gjatë ndërtimit të urave në Kukës. j.h