E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet vajza 19 vjeçe e policit

 POGRADEC/ GEZIM ASHIMIVetëvritet me armën e shërbimit të babait maturantja nga Pogradeci. D.Xh, 19 vjeçe i dha fund jetës me një plumb në zemër me pistoletën e të atit, punonjës policie. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:30 të së martës në fshatin Zervaskë të komunës Buçimas. Sipas policisë, bazuar në të dhënat e familjarëve, viktima u kishte pohuar se do të kalonte në dhomën tjetër për të studiuar. Por pasi kanë kaluar vetëm pak minuta, ata kanë dëgjuar një krismë. Të alarmuar nëna dhe motra e 19-vjeçares kanë shkuar në dhomën nga erdhi krisma, ku u ndeshën me pamjen tronditëse. Vajza ndodhej e shtrirë në tokë pa jetë në mes të një pellgu me gjak. Ato dhanë alarmin nga ku menjëherë mbërriti në banesë edhe babai i viktimës, i cili kishte dalë për të kryer disa vizita tek të afërmit e tij në fshat. Ai e kishte lënë armën e shërbimit në banesë pa e menduar së një prej fëmijëve të tij do të vetëflijohej pikërisht duke përdorur pistoletën e punës. Policia e komisariatit të Pogradecit u njoftua nga efektivi i saj për ngjarjen e ndodhur dhe menjëherë nisën hetimet. Sipas burimeve të policisë që po hetojnë ngjarjen, viktima D.Xh., e ka shkrehur armën në zemër, duke pësuar vdekje të menjëhershme. Në versionin e saj zyrtar, policia e përcaktoi këtë rast si vetëvrasje aksidentale. “Vajza po luante me armën e babait të saj, punonjës policie, kur i është shkrehur arma”, bëri të ditur policia. Por grupi i hetimit shtoi se janë duke punuar edhe në pistën e një vetëvrasjeje të qëllimshme. Kjo për faktin se 19-vjeçarja e ka qëlluar veten në zemër, duke qenë e vetëdijshme për një vdekje të sigurte. Nga hetimet e deritanishme të policisë nuk është përcaktuar shkaku që e ka çuar gjimnazisten e vitit të katërt të komunës Buçimas në vetëvrasje. Në sajë të hetimeve paraprake, adoleshentja nuk ka pasur ndonjë histori sentimentale. Gjithashtu, sipas familjarëve të saj, ajo nuk kishte shfaqur shenja të depresionit apo të ndonjë problemi që mund të kishte pasur kohët e fundit. Sipas policisë, 19-vjeçarja mësohet se është ankuar kohët e fundit për shqetësime të lehta të dhimbjes së kokës nga migrena. Blutë kanë marrë në pyetje edhe shoqet e viktimës për të zbardhur ndonjë problem të mundshëm për të cilën ato mund të jenë në dijeni. Mësohet se efektivi i policisë së Pogradecit është shoqëruar nga kolegët e tij nga ku është marrë në pyetje për ngjarjen e rëndë që i ndodhi në familje me armën e shërbimit. Policia siguroi si provë materiale të kësaj ngjarjeje armën tip pistoletë, një krehër me 6 fishekë dhe një predhë plumbi që i mori jetën 19-vjeçares.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›