FSHF: Klube, mos nxisni dhunën!

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, është mbledhur sot më datë 26.01.2010, në mënyrë urgjente për të analizuar ngjarjet e ndodhura së fundi në ndeshjet e javës së 18, të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore.
Deklaratë e Komitetit Ekzekutiv të FSHF
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, është mbledhur sot më datë 26.01.2010, në mënyrë urgjente për të analizuar ngjarjet e ndodhura së fundi në ndeshjet e javës së 18, të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore. Pasi është njohur me situatën pas raportimeve të sektorëve përkatës, të cilët mbrëmë në orët e vona janë mbledhur urgjentisht në FSHF nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, dhe kanë përgatitur një raport të hollësishëm për ngjarjet, Komiteti Ekzekutiv vendosi:
1. Të dënojë veprimet e dënueshme të ndodhura në fushën e Vlorës gjatë ndeshjes Flamurtari – Besa dhe ato gjatë ndeshjes Tirana – Dinamo, zhvilluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.
2. I kërkon Komisioneve të Disiplinës dhe Apelit, të jenë sa më rigorozë dhe profesionalë dhe të japin vendime të ashpra konform rregulloreve, për shkelësit e tyre dhe për ata që prishin imazhin e lojës.
3. T’i bëjë thirrje të gjithë opinionit futbolldashës, që të bashkohet me shqetësimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, për aktet e dhunës dhe shkeljen e rregullores së lojës, ndodhur në ditët e fundit.
4. T’i bëjë thirrje të gjitha klubeve, anëtarëve të saj dhe faktorëve të tjerë, që ndikojnë në mbarëvajtjen e lojës, të mos nxisin dhunën por të mbështesin dhe inkurajojnë futbollin e ndershëm dhe Fair Play.
5. T’i kërkojë sektorëve përkatës në FSHF, delegatëve, vëzhguesve dhe gjyqtarëve, që të jenë të kujdesshëm, seriozë dhe veçanërisht të rreptë në zbatimin e “Rregulloreve të veprimtarive të aktiviteteve kombëtare”.
6. Fton të gjitha organizmat shtetërore dhe në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit, që të bashkohen dhe mbështesin përpjekjet për ta ruajtur futbollin sa më të pastër, nga fenomenet që e pengojnë zhvillimin e tij.
Burimi: Albania-sport.comE Marte, 26 Janar 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili