FSHF: “Qeveria të reflektojë për herë të fundit”
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, i mbledhur dje, më datë 17 mars 2008, analizoi gjendjen në futbollin shqiptar duke shprehur shqetësimin e thellë për vendimin për pezullim që ka marrë Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s në mbledhjen e tij të datës 14 mars 2008. “Pasi ka shqyrtuar të gjitha informacionet e ardhura për këtë problem, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së e vlerëson situatën si mjaft shqetësuese. Ai i bën thirrje Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ministrit Ylli Pango, si dhe të gjitha organizmave shtetërore, që të reflektojnë pas këtij vendimi dhe të tërhiqen, duke zbatuar rekomandimet e FIFA-s dhe UEFA-s”, - thuhej në komunikatën për shtyp të Federatës Shqiptare të Futbollit. “Duke e konsideruar si mjaft të rëndësishme këtë çështje, Komiteti Ekzekutiv, Presidenti i FSHF-së konfirmojnë gatishmërinë e tyre për t’u ulur dhe gjetur një zgjidhje, e cila nuk do të rëndojë mbi futbollin shqiptar. FSHF-ja është e bindur se zbatimi i vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, i cili ka pasoja edhe më të rënda prapavepruese, do të jetë me pasoja të pariparueshme për futbollin shqiptar. Për këtë arsye, Komiteti Ekzekutiv, Presidenti i FSHF-së, janë të gatshëm që të përdorin të gjithë autoritetin e tyre që si edhe në të shkuarën kërkojnë bashkëpunimin e organizmave shtetërore, në mënyrë që gjendja e rëndë të kapërcehet. Ata janë të gatshëm që në çdo kohë të marrin kontakt me ministrin Ylli Pango për të sheshuar problemet dhe për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme”, - thuhet në komunikatë.
NJË MINUTË HESHTJE- Federata Shqiptare e Futbollit ka ndjekur me mjaft shqetësim dhe dhimbje ngjarjen dramatike të Gërdecit, ku ka patur disa të vrarë dhe qindra të plagosur pas një serie shpërthimesh. Duke ngushëlluar familjet e viktimave, duke u uruar të lënduarve shërim të shpejtë dhe duke qenë pranë të pastrehëve nga shpërthimi tragjik, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, vendosi: “1. Të ndërtojë në fshatin Gërdec një fushë futbolli, e cila të vihet në dispozicion të fëmijëve të fshatit, në mënyrë që edhe ata të kenë mundësi të argëtohen dhe stërviten si të gjithë fëmijët e tjerë. 2. Të derdhë një kontribut prej 1 milion lekësh në numrin e llogarisë së hapur pranë “Raiffeisen Bank” për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve. 3. Në ndeshjet e radhës të kampionatit të Superligës dhe të kategorisë së parë të mbahet një minutë heshtje për kujtim të viktimave të kësaj tragjedie të tmerrshme. 4. Të gjithë lojtarët e skuadrave të kategorisë superiore dhe të kategorisë së parë të mbajnë në krah një shirit të zi në nderim të viktimave të pafajshme të shpërthimeve në Gërdec”.
Ndeshjet e shtyra, më 22 mars
Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëri të ditur se ndeshjet e javës së 24–t të Kategorisë Superiore dhe pesë takimet e mbetura të javës së 23-të të Kategorisë së Parë, të shtyra për shkak të tragjedisë së Gërdecit, do të luhen më datën 22 mars, sipas këtij kalendari:
Kategoria superiore:
Besëlidhja – Dinamo
Teuta – Partizani
Kastrioti – Vllaznia
Flamurtari – Besa
Shkumbini – Tirana
Elbasani - Skënderbeu
Kategoria e parë:
Laçi - Sopoti
Erzeni – Gramshi
Dajti - Apolonia
Pogradeci – Naftëtari
Turbina - Luftëtari
18 Mars 2008