Starton te “Marubi” metropol Festivali i të Drejtave të Njeriut
Petrika GROSI
Nesër starton në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (International Human Rights Film Festival in Albania - IHRFFA). Ceremonia e çeljes së festivalit është caktuar pasditen e 19 marsit, ora 18:00. Dy do të jenë filmat e parë të këtij festivali për 2008-n: “Revolucionet, manual përdorimi” (Francë), një dokumentar i regjisores Tania Rakhmanova dhe filmi i dytë, i titulluar “Vdekja e zotit Lazaresku”, i regjisorit Kristi Puiu, që është një dramë tmerri e vdekjes së një pensionisti nga Rumania. Në qendër të këtij filmi është indiferenca dhe korrupsioni i sistemeve shtetërore që nuk kryejnë detyrat për të cilat janë krijuar, përkundrazi... Një realitet ky të cilin e njohim mirë edhe në vendin tonë. Mjaft prej filmave që do të marrin pjesë në festival kanë konkurruar në festivale ndërkombëtare dhe janë vlerësuar me çmime të ndryshme.
Ky festival, që vjen në kryeqytet për herë të tretë dhe tashmë është shndërruar në një traditë, do të zhvillohet për 5 mbrëmje me radhë, nga 19-23 mars. Filmat do të shfaqen çdo ditë të ndarë në tri seanca sipas programit përkatës nga ora 15:00 – 22:00. Qëllimi i këtij festivali ka qenë dhe mbetet vendosja në fokus e parimeve të të drejtave të njeriut përmes botës universitare nga ku ra vijëzohen vizionet e së ardhmes së një shoqërie moderne e demokratike. Sipas drejtorit Ekzekutiv të IHRFFA-s, Kujtim Çashku, individët dhe organet e shoqërisë nuk duhet të dorëzohen asnjëherë duke luftuar dhe kërkuar liritë e tyre dhe të drejtat e njeriut. Të 28 filmat që do të shfaqen gjatë 5 netëve në kinemanë “Marubi” do të jenë të gjinive të dokumentarit dhe fictionit, me metrazh të shkurtër dhe të gjatë. Ato janë përzgjedhur në bazë të tematikave dhe problemeve që trajtojnë, siç janë të drejtat e grave, trafikimin e qenieve njerëzore, të drejtat e fëmijëve, të drejtat etnike e që, të përmbledhura të gjitha së bashku, ecin pandashëm me të drejtat universale të njeriut. Gjeografia e filmave, siç njoftojnë organizatorët, është e gjerë, duke nisur që nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Japonia, Meksika, Suedia, Franca, Spanja, Italia, Zvicra, Anglia, Bullgaria, Rumania, Palestina, Bjellorusia e pa dyshim që nuk mund të mungonte edhe Shqipëria, si organizatore e festivalit. Nuk është arritur që filmat të jenë të gjithë të subtitruar në gjuhën shqipe, por të paktën gjysma e tyre këtë vit do ta ketë këtë fat. Sipas organizatorëve, ky festival nuk është thjesht një festival didaktik i të drejtave të njeriut, por më tepër se kaq, një leksion nëpërmjet artit të kinematografisë mbi të drejtat e njeriut nëpër botë. Me një mungesë mbështetjeje thuajse në nivelin “zero” nga shteti në lidhje me organizimin e këtij festivali, Akademia e Filmit dhe e Multimedias Marubi, në bashkëpunim me struktura private të edukimit, si universitetet, shpreson të tërheqë vëmendjen e të rinjve dhe studentëve që kanë për të gjetur në këtë festival kuptimin e vërtetë, joakademik dhe të përditësuar të së drejtës së njeriut, që vjen përmes imazhit dhe nëpërmjet tij prekim përvoja të ngjashme me problemet shqiptare. Komiteti selektiv, që ka bërë përzgjedhjen e filmave, ka pasur në përbërjen e vet përfaqësues nga Instituti Shqiptar i Medias, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, OSBE-ja, Kolegji i Utikës (Nju Jork), përfaqësi të ndryshme diplomatike në Shqipëri si Ambasada Gjermane, Austriake, Zvicerane, Suedeze, Amerikane etj.
18 Mars 2008