E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në Mitrovicë, KFOR-i rivendos kontrollin në Veri

Pas përleshjeve të ashpra mes forcave të policisë së UNMIK-ut dhe serbëve, trupat e KFOR-it arritën të rivendosnin gjatë ditës së djeshme kontrolin në Mitrovicë duke bllokuar të gjitha rrugët. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i KFOR-it në Prishtinë, Etien du Faje. Forcat e policisë së UNMIK-ut morën urdhër të tërhiqeshin nga veriu i Mitrovicës pas një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm gjatë të cilit u arrit të merrej nën kontroll Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës, e cila prej datës 14 mars ishte marrë nga serbët që kishin ngritur në këtë godinë flamurin e tyre. Ndaj marrjes së gjykatës nga forcat ndërkombëtare kanë reaguar menjëherë serbët duke sulmuar dhe plagosur rreth 45 trupa të KFOR-it dhe 37 policë ndërkombëtarë. Afro njëqind serbë të zemëruar u sulën afër ndërtesës ku kishte filluar ndërhyrja dhe gjuajtën me gurë në drejtim të forcave të sigurisë. Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata. Disa orë më vonë, sipas raporteve të Shërbimit Policor të Kosovës, serbët janë mbledhur sërish duke sulmuar Policinë e UNMK-ut dhe KFOR-it. Sipas agjencive të ndryshme botërore, protestuesit serbë i kanë sulmuar forcat e KFOR-it edhe më armë zjarri, me granata dore. Dhuna e shkaktuar nga protestuesit serbë ndaj forcave ndërkombëtare është dënuar nga zëvendësshefi i UNMIK-ut, Larri Rosin, si dhe nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Havier De Marnak. Në një komunikatë të përbashkët për opinion, të dy përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë kanë nënvizuar se dhuna ndaj Policisë së UNMIK-ut dhe pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët rikthyen kontrollin mbi Gjykatën në Mitrovicë, është shkelje flagrante e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ata kanë ftuar të gjitha komunitetet për qetësi dhe kanë nënvizuar se UNMIK-u dhe KFOR-i do të kthejnë kontrollin mbi veriun e Mitrovicës. Ndërkohë, edhe në jug të Mitrovicës janë marrë masa për mosreflektimin e tensioneve të veriut. Komandanti i stacionit të SHPK-së në jug të këtij qyteti, Bashkim Spahiu, është shprehur se edhe në këtë pjesë të qytetit janë marrë të gjitha masat që të mos reflektohen tensionet e krijuara në veri të Mitrovicës. Nga këto sulme mbetën të plagosur edhe 70 serbë, të cilët morën ndihmën e parë në Spitalin e Mitrovicës.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›