“Ajsbergu” i një dorëheqjeje
Nga Armando META
Dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me tragjedinë e Gërdecit, është vetëm “maja e ajsbergut” e një serie përgjegjësish që ka qeveria “Berisha” për këtë ngjarje. Kjo tragjedi duhet të shërbejë si një moment i madh reflektimi jo vetëm sa i përket mënyrës së qeverisjes së vendit, por edhe në drejtim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për mënyrën se si ata qeverisen. Prej më shumë se një dekade endemie në makthin e luftërave të pashpallura...me plot viktima. Anarkia, banditizmi, arroganca e pushtetit, frika ndaj bandave që gëlojnë në të gjithë vendin, shteti që “dhjet” frikë nga tre të fortë lagjesh, grabitja ditën për diell e pronave, grabitja pa pikë turpi e pronës shtetërore nga ofiqarët politikë dhe ata shtetërorë, monopolet, trafiku, korrupsioni e plot të tjera përbëjnë tashmë mozaikun e një vendi ku fjala shtet ligjor vijon të jetë e huaj. Shqiptarët nuk janë të paqeverisshëm, por ata fillojnë të vetëqeverisin kur shikojnë se ministrat, deputetët e zyrtarët e lartë të këtij vendi nuk e kanë mendjen të qeverisin por të mbushin xhepat për veten, miqtë e farefisin. Moda për t’u pasuruar nëpërmjet mandatit politik është bërë virusi më kërcënues për shkatërrimin moral, ekonomik e kulturor të vendit. Verbëria pas fitimeve nuk i lejon ata që duhet të qeverisin të shikojnë më larg se pamja që u ofron xhami i zyrës së tyre luksoze. Papërgjegjshmëria qeverisëse nuk ka ardhur brenda një dite, as brenda një muaji. Ajo është ngjizur prej dhjetëra vitesh çdo ditë pak e nga pak, duke kulmuar me tragjedinë e Gërdecit. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Kjo, sepse, pavarësisht dramave dhe tragjedive, asnjë kryeministër, asnjë ministër e asnjë shtetar i lartë nuk ka ndier pikën më minimale të përgjegjësisë për të bërë detyrën për të cilën është votuar. Nuk dimë se ç’duhet të ndodhë më shumë se ajo që ndodhi në Gërdec që kryeministri ynë të japë dorëheqjen. Për të gjithë është e qartë se përgjegjësia për këtë ngjarje është e qeverisë që ai drejton. Kryeministri ynë duhet të marrë përgjegjësi. Ai duhet të demonstrojë një moment civil duke dhënë dorëheqjen, për të mos u kthyer më tej në një precedent të rrezikshëm që pavarësisht se ç’ndodh në këtë vend për faj të qeverisjes, kryeministri nuk jep dorëheqjen. Instalimi i këtij precedenti është leksioni më i gabuar që jepet në demokraci. Kryeministri ynë duhet të kuptojë se shteti nuk është çifligu i tij personal, ku i zoti bën çfarëdo dhe sido vetë. Ai është në atë post i votuar në Kuvend thjeshtë sepse ka disa deputetë servilë e pa asnjë kurajë qytetare për t’i kërkuar llogari edhe kur vendin e përpijnë tragjedi si ajo e Gërdecit. Gjithçka për tragjedinë e Gërdecit, kryeministri do të përpiqet ta mbyllë me dorëheqjen e Mediut. Por dorëheqja e ministrit nuk arrin dot të zbehë shkëlqimin e papërgjegjshmërisë qeverisëse. Këtë radhë, kryeministri nuk arrin dot të fshihet nën ajsberg, sepse ai është mbi ajsberg. Në realitet e dimë që kryeministri ynë i nderuar as e çon nëpër mend të japë dorëheqjen. Thjeshtë i kujtuam se në fjalorin politik ekziston edhe termi dorëheqje, kur për shkak të qeverisjes së papërgjegjshme e pësojnë tragjikisht qytetarët.
18 Mars 2008