Çelet në GKA ekspozita vetjake e Bashkim Ahmetit
Ai do të sjellë në Galerinë Kombëtare të Arteve imazhe Amerike. Do të vijë me një grup pikturash që na rrëfejnë Nju Jorkun, vendin ku ai jeton e punon prej vitesh. Por gjithashtu na sjell edhe imazhe Shqipërie. Në një seri veprash që i përkasin temës "Shqipëria e përjetshme", piktori Bashkim Ahmeti i kthehet Shqipërisë me një ekspozitë vetjake, e cila do të çelet më 26 nëntor e do të qëndrojë e hapur deri më 12 dhjetor. Ndërkaq, në këtë ekspozitë nuk do të mungojnë as veprat me tema historike, që më së shumti janë përqendruar rreth figurës së mbretit. Do të jenë aty edhe një grup tjetër tablosh, ku artisti pikturon "nudot", që janë tema e tij e përhershme. Punimet e ekspozuara të tronditin me zgjidhjet kompozicionale origjinale, freskinë koloristike të papritur, magjinë e një këndvështrimi postmodern piktorik të imazheve që realizohen me një talent të jashtëzakonshëm. Ato prezantojnë një teknikë perfekte pikturimi, si në realizimin pastoz të penelatave, qoftë edhe në velaturat e përdorura që krijojnë emocione tronditëse. Asnjë detaj i pikturave të tij nuk është lënë jashtë vëmendjes, çdo gjë është realizuar në perfeksion. Ai në vazhdimësi preferon tri ngjyra kryesore: okrën e artë, blunë mesdhetare dhe të kuqen verbuese onufriane.
Ekspozita do të shoqërohet nga katalogu ku janë paraqitur 97 vepra, që janë pjesë e ekspozitës. Të gjitha veprat që ka vendosur të paraqesë para publikut janë realizuar gjatë viteve 2005-2008. Piktori Bashkim Ahmeti ka dhënë një kontribut të veçantë në disa fusha të arteve pamore. Veprat e tij krijuese rreth 40-vjeçare, përveç pikturës, shtrihen në skenografi dhe kostumografi (teatër, opera, spektakël), në mësimdhënie, në drejtimin artistik dhe krijimin e pjesëve kompozicionale në muzetë kombëtarë. Ai ka krijuar vepra në teknikën e vajit, afreskut dhe grafikës. Ahmeti ekspozoi për herë të parë në moshën 20-vjeçare në ekspozitën kombëtare në Tiranë, ku u vlerësua me çmim. Prej atëherë ai ekspozon në vazhdimësi në veprimtari kombëtare në grup dhe në ekspozita vetjake brenda e jashtë Shqipërisë.