E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF i druhet tensionit, tri takime shtyhen për të dielën

Kategoria I Spostohen supersfida Lushnja-Partizani dhe ndeshjet e Elbasanit dhe Kamzës

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të shtyjë me 24 orë tri ndeshjet më të rëndësishme të javës së 26-të të Kategorisë së Parë. Supersfida e vlefshme për një biletë në Superiore, që do të luhet në “Roza Haxhiu”, ndërmjet Lushnjës dhe Partizanit, por edhe ndeshjet e Elbasanit me Burrelin dhe Kamzës me Skraparin do të zhvillohen të dielën, në mënyrë që mbulimi i tyre të jetë sa më i mirë, qoftë nga specialistët e federatës, ashtu edhe nga efektivat e policisë, për të mos lejuar probleme brenda dhe jashtë fushave të lojës. “Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për të mbuluar sa më mirë mbarëvajtjen e këtyre ndeshjeve të rëndësishme, është parë e nevojshme që tri takime të shtyhen për t’u luajtur ditën e diel. Për shkak të intensitetit të madh të ndeshjeve, që do të zhvillohen gjatë ditës së shtunë dhe në mënyrë që, si Policia e Shtetit ashtu edhe Federata Shqiptare e Futbollit të kenë mundësinë që t’i mbulojnë me efektivat dhe specialistët më të mirë këto ndeshje, është vendosur kjo shtyrje. Në tri ndeshjet e shtyra, do të luajnë skuadrat e renditura në vendet e para në klasifikimin e Kategorisë së Parë”, ishte qëndrimi zyrtar i institucionit që drejton sportin më popullor në vend.

Përveç Bylisit që duket fare pranë rikthimit në elitë, Elbasani, Lushnja, Partizani dhe Kamza janë katër skuadrat që luftojnë për tri vendet e kreut. Përballja Lushnja-Partizani është padyshim sfida kyçe, pasi një hap fals i këtyre skuadrave, do ta komplikonte garën. Kryeqytetasit kishin kërkuar zyrtarisht në FSHF që ndeshja të shtyhej, për shkak të situatës jo të qetë në skuadër: krisje mes drejtuesve, akuza për tentativë shitje ndeshjesh dhe arrestimi i aksionerit Paro Laçi. I menjëhershëm ishte reagimi i lushnjarëve, të cilët pretendonin që kjo kërkesë të mos merrej parasysh, edhe sepse problemet e Partizanit do të ishin një avantazh psikologjik për ta. Por, frika prej tensioneve që mund të regjistrohen në këto takime ka bërë që tri ndeshjet të luhen 24 orë më pas.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›