Shkumbini-Tirana, Europa është në mes
Kanë mbetur edhe 6 javë deri në fund të sezonit dhe të gjithë u kanë hyrë llogarive. Nëse 5 javë më parë dallimi ishte mes gjysmës se parë dhe asaj të dytë të tabelës ishte i madh, “zemërgjerësia” e kryesuesve ka komplikuar së tepërmi renditjen e skuadrave dhe njëkohësisht edhe ambiciet e tyre. Shumë pak pikë ndajnë skuadrat që luftojnë për Europa League dhe ata që synojnë për të mos rënë nga kategoria, prandaj nga sot e në vazhdim gjithçka mbetet për t’u parë: një fitore të ndryshon polin dhe objektivin: nga rënia në Kupat e Europës.
Superndeshja e kësaj jave do të luhet në Peqin, atje ku Shkumbini do të presë Tiranën e Sulejman Starovës. Favor për bardheblutë pritet të jetë fakti se sfida do të luhet pa praninë e shikuesve pas ndëshkimit për shkak të incidenteve që ndodhën gjatë takimit Shkumbini-Besa, e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Objektivi i këtyre dy skuadrave është sigurimi i një vendi që të çon në Europa League dhe kjo ndeshje mendohet të ketë jo pak peshë në realizimin e tij. Trajneri Starova synon fitoren e tretë radhazi të Tiranës nën drejtimin e tij në Superligë. “Ndeshja është e vështirë, por ne na duhen tri pikët, nënvizon Starova. Ditët e bukura për Tiranën kanë mbaruar, tani kemi shumë ekipe rivale”. Peqinasit kanë dy pikë më pak se Tirana e vendit të tretë (41) dhe një fitore me 24 herë kampionët e Shqipërisë, do të sillte edhe rokadën midis tyre në renditje, por edhe me një pikë më shumë për Shkumbinin. Por formacioni i tij është i kushtëzuar nga mungesa e mesfushorit çaushaj dhe sulmuesit Mustafaj. Megjithatë, këto mungesa nuk frenojnë ambicien e trajnerit Përparim Daiu për një fitore në sfidën e sotme. “Tirana është një rival direkt i yni për një nga vendet që të çojnë në Kupat e Europës, thekson Daiu. Të gjitha ndeshjet deri në fund të kampionatit do t’i konsiderojmë si finale”. Një tjetër ndeshje që premton grinte është edhe ajo, që do të luhet në Vlorë mes Flamurtarit dhe Kastriotit. Kastrioti ka lënë shumë pikë në shtëpinë e tij dhe tashmë rrezikon zonën e ftohtë të rënies nga kategoria. Ndeshja kundër Flamurtarit është mjaft e vështirë për vetë objektivat që kanë vendasit, të cilët kanë tri pikë më shumë krutanët (33). Një fitore sot do ta çonte Flamurtarin në 6 pikë diferencë nga Kastrioti. Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, do të ketë plot pesë mungesa kundër krutanëve, përfshirë dhe sulmuesin e ri, Odise Roshi, ky i fundit është në provë te Paris Saint Germain në Francë. Kastriotit do t’i mungojë kroati Matko Djarmati (i pezulluar), ndërkohë që i dëmtuar është Ivan Babiç, autori i golit të çmuar në fitoren kundër Gramozit. Apolonia e pozicionuar keq në fund të tabelës do të synojë të përfitojë sa më shumë nga një Dinamo zemërgjerë e kohëve të fundit, por që me një fitore sot zyrtarizohet si kampionia e re e Shqipërisë. Teuta, që tashmë e shikon veten të rrezikuar nga rënia, do të presë Besën në “Niko Dovana”. Pikët janë jetike për durrsakët, por jo më pak për Besën, e cila ndien pranë frymën e Tiranës, që mund t’i rrëmbejë vendin e dytë. Në “Loro Boriçi” përballë Vllaznisë do të zbresë Skënderbeu i Rekordeve, por në Shkodër do të jetë e vështirë të marrin pikë. Ndërsa Laçi, që nuk ka hequr dorë nga Europa, pret sot në shtëpi Gramozin e pashpresë për të luajtur një tjetër sezon në Kategorinë Superiore.
#