E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Luftë” nervash, por Duro do pikë në Ballsh



Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Ballsh, Partizani fitoi me Bylisin (1-0, java 18), falë golit të sulmuesit korçar Marius Ngjela (21’), pas harkimit mjeshtëror të blerjes dimërore të Partizanit, Engert Bakallit. Tri pikë të çmuara në luftën për mbijetesë për formacionin e kuq të Shpëtim Duros, njëherësh edhe ndeshja e parë në vitin 2009, kur tashmë pas 28 javësh dy skuadrat kanë një diferencë prej +5 pikësh në favor të Partizanit. Në fazën e parë, dy skuadrat u ndanë në barazim (1-1, java 7) në ndeshjen e zhvilluar në “Selman Stërmasi”, golit të Karapicit të Partizanit, iu përgjigj me penallti Roland Nënaj, pas një 11-metërshi të paqenë, të dhënë nga gjyqtari Shkëlqim Guçe, i cili mbylli edhe serinë e gjykimeve sezonale për “xhaketën e zezë” lushnjare. Duke ecur edhe më shumë prapa në kohë, për të “zbuluar” fitoren e fundit të Bylisit ndaj Partizanit (janë tre të tilla në 13 ndeshje midis tyre në total), duhet të kthehesh nëntë vite pas, kur ballshiotët fituan 1-0 (gol i Daniel Xhafës 87’) në shtëpi në sezonin 1999-2000, më kampionatin më të errët të një prej klubeve më të lavdishme të Shqipërisë, në përfundim të cilit, klubi i kuq ra një kategori më poshtë (të Dytën, siç quhej atëherë). Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, e ka vlerësuar shumë takimin dhe e ka përgatitur me përgjegjësi skuadrën gjatë gjithë javës për një nga ndeshjet kyçe, ku kërkon nga “djemtë e kuq” minimalisht të evitojnë humbjen në transfertën e vështirë të Ballshit, ashtu siç bënë një javë më parë kundër Tiranës në “Qemal Stafa”. “Është një ndeshje e vështirë dhe shumë e rëndësishme njëkohësisht. Të dyja luftojmë për të qëndruar në Superligë dhe është një takim i fortë. Bylisi është më poshtë se ne në renditje dhe kërkon rezultat pozitiv, ashtu si edhe Partizani. Mund të them se është një takim që i ka brenda të tre rezultatet. Megjithatë, një barazim në këtë transfertë të vështirë, sigurisht që na kënaq”, - tha tekniku Duro.

Gjyqtari
Bylisi akuzon FSHF-në

Kur shorti i gjyqtarëve, i hedhur direkt të enjten në televizionin “Alsat”, përcaktoi arbitrin tiranas Kridens Meta (18 ndeshje këtë sezon) për të gjykuar takimin Bylis-Partizani, presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj, pohoi se kishte dalë profecia e tij, kur kishte deklaruar të mërkurën se ndaj skuadrës së tij do të gjykonte po ky gjyqtar, që sipas tij, do të përpiqej të ndikonte në rezultatin e ndeshjes në dëm të Bylisit, duke e quajtur këtë një hakmarrje të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në fakt, po të shohësh statistikat e gjykimeve të Metës gjatë këtij sezoni, gjyqtari i shpallur “non grata” në Ballsh, ka gjykuar Bylis-Lushnja (1-0, java 4), një takim ku janë dhënë tre kartonë të kuq, ndërkohë që për rastësi Kridens Meta ka drejtuar Bylis-Partizani (0-1, java 18), pikërisht në ndeshjen e fundit midis dy klubeve.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 29
25.04.2009, 16:30

Apolonia-Elbasani (Hoxha)
Bylis-Partizani (Meta)
Dinamo-Shkumbini (Pashaj)
Lushnja-Flamurtari (Peza)
Tirana-Teuta (Jareci)
Vllaznia-Besa (Sadiku)

RENDITJA

Tirana 55
Vllaznia 54
Dinamo 48
Shkumbini 44
Teuta 41
Besa 39
Flamurtari 31
Partizani 30
Elbasani 30
Lushnja 29
Apolonia 26
Bylis 25

KATEGORIA E PARË
JAVA 27,
25.04.2009, 16:30

Bilisht-Luftëtari (Alla)
Dajti-Besëlidhja (Lulaj)
Gramozi-Pogradeci (Mustafaraj)
Laçi-Burreli (Taullai)
Kastrioti-Ada (Beqiri)
Skënderbeu-Turbina (Kastrati)
Skrapari-Naftëtari (Cjapi)

RENDITJA
Laçi 56
Skënderbeu 55
Kastrioti 53
Gramozi 47
Burreli 45
Dajti 41
Turbina 36
Luftëtari 34
Besëlidhja 33
Ada 32
Skrapari 29
Pogradeci 28
Sopoti 28
Tërbuni 27
Bilishti 22
Naftëtari 17

Kuronovski, “tersi”
i Tiranës me Teutën

Pa portierin më përvojë 21-vjeçare Blendi Nallbani (të pezulluar, 26 ndeshje këtë sezon), Tirana do të përballet në javën e 29-të me Teutën, ndaj së cilës humbi në fazën e dytë në kryeqytet (1-2), teksa kishte fituar në fazën e parë në Shijak (1-0, gol i Memellit). Takimi do të gjykohet nga ndërkombëtari Sokol Jareci.
Në portë për kryesuesen e kampionatit (55 pikë) do të luajë maqedonasi Pece Kuronovski (2 ndeshje). Çuditërisht, ishte ish-portieri i Vardarit e Rabotniçkit në kampionatin maqedonas, ai që mbrojti portën e 23-herë kampionëve në humbjen me Teutën (1-2), por i pafajshëm në dy kryeveprat e Emiljano Vilës.

Gerets: “Lorik Cana,
njw kapiten i madh”

Trajneri i Olimpikut të Marsejës, belgu Erik Gerets, e konsideroi të rëndë dënimin e Lorik Canës, me pezullimin e një ndeshje nga Disiplina e Ligës I franceze. “Unë mendoj se kjo përbën një skandal të vogël, - tha Gerets, për faqen football365.fr. – E kam riparë 25 herë atë që ndodhi, unë nuk dua të them asgjë kundër arbitrit, por ishte një situatë kur njëri thoshte se topi ishte për Marsejën, tjetri thoshte që ishte për ekipin kundërshtar. Loriku mbrojti topin, nuk pati asnjë goditje, të vjen pak keq për këtë pezullim. Do të na mungojë. Ai nuk është një kapiten çfarëdo. Është krahu im i djathtë në fushë. E kaluara e ka treguar këtë”.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›