Skela përgatitet të fundosë Bajernin
Ervin Skela ka shënuar 2 gola gjatë 27 ndeshjeve të këtij sezoni, por fantazisti shqiptar i Energi Kotbusit, por përgatitet intensivisht për t’i dhënë një goditje të madhe Bajernit të Mynihut. Kotbusi fitoi 2-0 sezonin e kaluar kundër rekordmenëve të Gjermanisë dhe Skela luajti një rol të dorës së parë në suksesin e madh. Energi ka nevojë urgjente për pikë në luftën për mbijetesë dhe presioni në skuadrën nga ish-Gjermania Lindore është i madh. “Bild”, shkruan se Skela e ka gjetur ilaçin për të ruajtur qetësinë. Shëtitje e relaks me familjen. Në faqen ‘online’ është botuar edhe një foto familjare me zonjën Mariola dhe djalin e tij Kris-Emanuel pranë një gjiri liqeni. “Këtu furnizohet me energji Skela për goditjen e madhe kundër Bajernit”, vëren artikulli i “Bild”-it. Skela thotë: “Duhet ta lësh ndonjëherë shpirtin të lëkundet i lirë. Është e rëndësishme, pasi kështu mund të largosh presionin”. Skela e di se çfarë flet. Llogaritë e tij janë të thjeshta: edhe dy fitore dhe më pas mund të festojmë të qetë. “Unë dëshiroj sa më shpejt të jetë e mundur të grumbullojmë gjashtë pikë, kështu ne nuk do të jemi nën presion. Nga ana tjetër, dua që ta provojmë edhe të fitojmë kundër një superfuqie si Bajerni. Me një super-motivim dhe me mbështetjen e tifozëve në stadiumin tonë, kampionët bavarezë do ta kenë po aq vështirë sa Volfsburgu në fitoren tonë 2-0. Për respekt të tifozëve unë do të gëzohesha vetëm një fitore”.