E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme e bën zyrtare, dërgon shkresën në FSHF

Nga Andi Matraxhiu

Në federatë është dorëzuar një dokument nga kjo ministri, ku bëhet publik regjistrimi i Klubit Sportiv Dinamo në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave

Çështja e Ministrisë së Brendshme, që është diskutuar se ka përvetësuar logon e Klubit Sportiv Dinamo, nëse deri dje ishte enigmatike, tashmë është bërë zyrtare. Në FSHF ka mbërritur një dokument nga Ministria e Brendshme, ku bëhet publik regjistrimi i Klubit Sportiv Dinamo në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave. Tashmë duket se do të fillojë një luftë e ftohtë midis presidencës blu dhe kësaj ministrie, sepse e para kërkon ta mbajë ende drejtimin e skuadrës. Situata duket e komplikuar.

Në fakt, sipas drejtuesve të FSHF-së, diçka e tillë i është komunikuar edhe FK Dinamos. Në zyrat tona ka mbërritur një dokument nga Ministria e Brendshme, që bën të ditur se kjo ministri ka regjistruar si të pronë të saj Klubin Sportiv Dinamo, në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave.

Normalisht, për këtë fakt i është pasqyruar gjithçka edhe FK Dinamos, sepse është pjesë e asamblesë dhe anatare e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kaq mund të them për momentin, – u shpreh për Sportin shqiptar sekretari i FSHF-së, z. Eduard Prodani. Ndërkohë, presidenca dinamovite nuk dëshiron të bëjë asnjë deklaratë.

Përgjigja e tyre, sipas burimeve të afërta pranë presidencës, është heshtja. Gjithsesi, në bazë të dokumentacioneve ligjore që zotërohen lidhur me pronësin e logos së KF Dinamos nga ana e presidentit Besnik Sulaj, do të bëhen të gjitha përpjekjet për ta mbajtur Dinamon. Mbase çështja do të kalojë në organet ligjore, mbase mund të ketë edhe seanca gjyqësore për ta zgjidhur këtë problem.

Sidoqoftë, historia e Dinamos ngjason pak a shumë me atë të Partizanit, që tashmë është pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Kujtojmë që blutë do të luajnë në Kategorinë e Parë dhe, pas problemeve me MTKRS-në, kanë mbetur edhe pa ambientet e tyre. Opioni sportiv në Shqipëri po ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet e fundit dhe pret ndërtimin e një skuadre dinjitoze, që së pari të ketë kushtet për tu quajtur e tillë.

Deri tani dinamovitët kanë qenë në rrugë, pa dhoma zhveshjeje dhe me shumë probleme të tilla, që kanë kaluar gjatë sezonit 2011-2012. Por, një tjetër problem për Dinamon e re, e Ministrisë së Brendshme apo presidencës, mbetet grupi i futbollistëve.

Askush nuk ka më kontratë me blutë, ndërkohë që futbollistët e mbetur janë nga moshat. Të rinjtë janë të nevojshëm për skuadrën, por smund të mbajnë mbi supet e tyre peshën e Kategorisë së Parë, që do të ketë rivalitet të madh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›