FSHF ndan çmimet, futbollisti i vitit, Bakaj
Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë – Federata shqiptare e futbollit ka nderuar disa nga figurat më të shquara të futbollit shqiptar ndër vite, në mbrëmjen Gala të kthyer tashmë në traditë në fund të çdo viti. Emra të mëdhenj të këtij sporti, por edhe futbollistë e arbitra, kanë qenë në qendër të ceremonisë së organizuar të martën në mesditë. Ilir Përnaska, Agustin Kola, Besnik Duli, Bujar Pregja, Jovan Gugu, Agim Qypi, Agim Medja, Zyhdi Çoba, Eduard Salillari, Shemsi Zilja, Selami Dani, Perlat Musta apo Fadil Kovaçi, janë nderuar për kontributin e tyre të madh në futboll. Por, disa çmime të veçanta kanë qenë për figura që tashmë nuk jetojnë më si Kujtim Majaci, Lefter Millo, Petro Ruci apo Agim Murati. “Viti 2009 është një vit në të cilin ka pasur shumë kontribute të futbollistëve, të trajnerëve të klubeve. Futbolli ka goxha emocione dhe duke qenë që ka këto kuptohet që ka dhe problemet e saj. Viti që po mbyllet ka mbyllur një garë në kategorinë superiore goxha të bukur me emocion”, - theksoi Armand Duka. Ndërkohë, futbollisti i vitit në Shqipëri u shpall lojtari i Dinamos dhe i ekipit kombëtar, Elis Bakaj, i cili kryeson edhe listën e golashënuesve në këtë sezon të Superligës. Në festën e organizuar nga FSHF, binte në sy prezenca edhe e njerëzve të politikës, ndërsa mungonin presidentët e Tiranës dhe të Dinamos, dy prej klubeve kryesore në vend.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009