Formula 1 Ferrari, Montezemolo: “Shumaker më ka zhgënjyer”
Autori i Lajmit: RedaksiaItali - Për askënd nuk është e lehtë që të pranojë disfatat. Kjo frazë vlen më shumë nëse në karrierë të është dashur të përballesh me shumë pak të tilla dhe nëse quhesh Mikael Shumaker atëherë çdo gjë bëhet edhe më e vështirë për të kaluar. Disfata e fundit, për shtatë herë kampionin e Botës në Formula 1 ndodhi disa ditë pas aksidentit të Massa-s në Çmimin e Madh të Hungarisë. Në atë moment Ferrari kishte nevojë për një pilot që të zëvendësonte brazilianin në mënyrën më të mirë dhe menjëherë drejtuesve të skuadrës nga Maranello i shkuan sytë tek Shumakeri(një opsion ky që mbase do të bënte më mirë se sa vetë Massa në atë Botëror). Por një problem në qafë mposhti gjermanin dhe dëshirën e tij për tiu rikthyer garave. Disa ditë më vonë Shumit iu desh që ti thoshte jo ofertës së Ferrarit. “Ai mori një vendim, – tregon Montezemolo, – që më pas e bëri të vuajë shumë. Kur Mikaelit iu desh që të hiqte dorë nga mundësia e zëvendësimit të Massa-s për shkak të problemeve në qafë ishte i trishtuar. Shumakeri ishte pothuajse i shkatërruar e vuajti shumë atë vendim”. Që prej atij momenti të gjithë mendonin se Shumi do të shkonte në pension (luksi) dhe se kishte hequr dorë përfundimisht nga ideja për tiu rikthyer garave. Por më pas gjermani habiti të gjithë me vendimin e tij për tiu rikthyer garave këtë sezon. Një nga personat më të habitur është edhe presidenti i Ferrarit. 7 herë kampioni i Botës në fillim ëndërroi dhe më pas organizoi gjithçka për tiu rikthyer Formulës 1. dhe tashmë ajo çka dukej si një utopi po bëhet realitet: Shumakeri duket se këtë sezon do të garojë për Mercedes GP-në. Sjellja e Shumakerit duket se ka bezdisur së tepërmi Montezemolon që tha se “jam shumë i zhgënjyer nga ai unë e konsideroja Shumin një mik të vërtetë. Mund tju them me shumë siguri që kjo zgjedhje e tij nuk do të ndikojë në miqësinë tonë, por nga ana tjetër nuk mund të mohoj faktin që rikthimi i tij në Formula 1 me një Mercedes GP më ka zhgënjyer”. Më tej presidenti i kokëkuqes, Luca Cordero di Montezemolo vazhdoi duke thënë se “vendimin për tiu rikthyer garave me njëvendëshen e Mercedesit duhet ta ketë marrë binjaku i Mikaelit. Pasi Shumakeri i vërtetë nuk do ta kishte marrë asnjëherë këtë vendim. Shumaker i vërtetë kërkonte që të mbyllte karrierën tek Ferrari”. Për mediet italiane kjo zgjedhje e pilotit gjerman ka qenë një “tradhti” përballë Ferrarit. Një “tradhti” që nuk i ka ngrirë buzëqeshjen Montezemolos, edhe pse përballë tashmë do të ketë një superpilot si Shumakeri. “Këtë vit Alonso dhe Massa, do të rikthehen ato do të jenë kompetitivë që në fillim të kampionatit. Fernando tashmë është rritur shumë, për të ka ardhur momenti që të rikthehet tek fitorja, ndërsa Felipe nga ana tjetër ka një dëshirë të madhe për tiu rikthyer garave pas atij dëmtimi. Mund tju them se kur e pashë për herë të parë Felipen, në spital, pas operacionit, u tremba shumë. Ferrari është si një familje e madhe, e cila nuk të lë kurrë vetëm”. Me tej në fund të intervistës Montezemolo tha për Jean Todt (Presidenti i ri i FIA-s): ai është personi i duhur, ai do të zgjidhë problemet e FIA-s dhe do ta dërgojë këtë federatë drejt një të ardhmeje më të mirë”.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009