Pse Hrushovi zgjodhi Kongresin për ti shpallur “luftë” Hoxhës
Autori i Lajmit: Androkli DraloBeograd, 22 tetor 1961 – Debati mes Shqipërisë së vogël dhe gjigantit sovjetik u pa këtu sonte nga studentët e çështjeve komuniste sikur paralajmëronte daljen haptazi në publik të një ndarjeje që mund të ndikonte të gjithë situatën në botë. Por hapja e letrave mund të bëhej edhe më dramatike se ajo e vitit 1948, kur komunistët e pavarur me mendje të Jugosllavisë u përjashtuan nga familja komuniste me urdhër të Stalinit. Sidoqoftë, dallimet me konfliktin e sotëm janë të jashtëzakonshme. Në vitin 1948, Jugosllavia qëndroi e vetme dhe nuk u mbështet nga asnjë parti tjetër komuniste në pushtet. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Shqipërinë, e cila gëzon një mbështetje të fuqishme nga Kina e Kuqe. Shqipëria mbështet e vetme tezën e Kinës së Kuqe, ku lufta me imperializmin është e pashmangshme, ndërsa kundërshton teorinë sovjetike se bashkekzistenca paqësore është e mundur. Në opinionin e ekspertëve komunistë këtu në kryeqytetin jugosllav, konflikti sovjeto-shqiptar, i cili doli sheshit kur Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike, Nikita Hrushov, sulmoi Shqipërinë me akuzën e stalinizmit, është në fakt një konflikt sovjeto-kinez, në të cilin Kina përdor Shqipërinë. Fakti që Hrushovi vendosi ta denonconte në mënyrë publike udhëheqjen shqiptare në Kongresin e Partisë Komuniste Sovjetike në Moskë, u pa si një sinjal se situata ishte agravuar aq shumë sa që udhëheqësi sovjetik duhet ta përcillte, edhe pse rrezikonte dukshëm një grindje me Kinën e Kuqe. Ekspertët komunistë këtu në Beograd thanë se kur Hrushovi nisi sulmet e tij, ai duhet të ketë llogaritur mundësinë e bërjes publike të çarjes me Shqipërinë, duke marrë parasysh të gjitha pasojat e saj. Fakti që Sekretari i Parë i PKS-së vazhdoi me sulmet e tij, u pa këtu si një tregues që ai ishte gati të përballej dhe me bërjen publike të konfliktit me Kinën Komuniste gjithashtu. Vëzhguesit e huaj thanë se mbetet e hapur ende çështja se çfarë e nxiti Hrushovin ta bënte publike krizën pikërisht në këto momente. Në tensionin aktual, situata ndërkombëtare do të dukej në favor të bllokut sovjetik për të demonstruar “unitetin monolit” kaq shumë të deklaruar të radhëve të saj, më shumë sesa do tu interesonte të shfaqnin një ndarje. Në Kongresin e Moskës Hrushovi kishte mbështetjen e pothuajse të gjithë delegatëve të kongresit dhe vetëm kryeministri kinez, Çu En Lai, u ngrit dhe shprehu keqardhjen e bërjes publike të grindjeve ndërpartiake. Debati sovjeto-shqiptar u bë për herë të parë publik nëntorin e shkuar në samitin e Moskës të vendeve komuniste, kur shefi shqiptar, Enver Hoxha, sulmoi Hrushovin si revizionist dhe tradhtar të kauzës komuniste. Thuhet se në atë takim, Hrushovi i irrituar ishte ngritur dhe i kishte bërtitur Hoxhës: “Ti zbraze mbi mua një kovë me plehra dhe tani duhet ta pastrosh”. Hoxha u largua me nxitim nga Moska dhe nuk u kthye më kurrë atje. Me mbështetjen e hapur ekonomike dhe politike të Kinës, Hoxha vazhdoi përpara me politikat e tij. Ai vuri në skenë një gjyq të kundërshtarëve të tij politikë brenda udhëheqjes së partisë dhe ekzekutoi shumë figura të njohura komuniste së bashku me dy zyrtarë të Ministrisë së Jashtme me akuzën e spiunazhit për Bashkimin Sovjetik. Rusët u detyruan të hiqnin dorë nga baza e nëndetëseve në bregdetin shqiptar, ndërsa specialistët sovjetikë që kishin qenë në Shqipëri u zëvendësuan me ata kinezë. Ky sulm i ri i Hrushovit ndaj Shqipërisë ka sjellë një përgjigje të fortë nga shqiptarët. Këta të fundit u dërguan një letër Kongresit të Partisë ku akuzonin Hrushovin se kishte prishur unitetin komunist. Tashmë transmetimet e radios nga Shqipëria nuk rreshtin së sulmuari Sekretarin e Parë sovjetik. Thelbi i propagandës shqiptare tregon se udhëheqësit shqiptarë presin një mbështetje të vazhdueshme nga Kina e Kuqe. Pjesa komuniste e botës ka hyrë tani në një periudhë tjetër të ndryshimeve të mëdha dhe ndoshta të trazirave të mëdha. Nga gjyqi brutal i pasvdekjes së Stalinit, vetë Nikita S. Hrushovi i dha fund epokës së qetësisë së brendshme që nisi me arritjen e fuqisë së tij të vetme. Këto konkluzione duken të pafrenueshme nga pika ku ndodhet sot Beogradi. Kremlinit i është dashur të izolojë të gjithë popullin e Gjermanisë Lindore për ta mbajtur këtë të fundit në bllokun sovjetik. Perandoria evropianolindore e Moskës nuk është më ajo që ishte dikur. Stalini nuk mund ta mbante Titon në radhë me të tjerët dhe shumë shpejt Jugosllavia u shndërrua në satelitin e parë sovjetik që fitoi pavarësinë e saj. E njëjta gjë mund të thuhet se ndodhi dhe me gjeneralin Enver Hoxha. “Bashkimi i vërtetë mes partive komuniste është i mundur vetëm në parimet marksiste-leniniste dhe jo duke e kaluar në heshtje orientimin e rrezikshëm të udhëheqjes shqiptare”, - u shpreh Enver Hoxha për Kongresin XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (1956). Mbijetesa e saj si një vend komunist antisovjetik, i paraqesin Hrushovit probleme, të cilat të paktën mund të zgjerojnë zonën e debatit ndërmjet Moskës e Pekinit dhe e përshtjellojnë më tej atë. Kinezët e dinë këtë shumë mirë dhe janë përgatitur të bëjnë përpjekjet maksimale për ta mbajtur këtë vend të vogël nën diktat. Kështu, ndoshta po bëjnë dhe partitë e tjera komuniste. Shqipëria ka vepruar gjithmonë si një pretekst për të manovruar fuqitë e mëdha, duke përfituar më shumë rëndësi se sa i takon për përmasat dhe pasurinë e saj. Duke refuzuar të ndjekin linjën e Hrushovit, kundërshtarët kanë vënë në dyshim të drejtën e tij për të folur si i vetmi burim autoritar i doktrinës komuniste. Vendet më pak të nënshtruara po vënë gjithashtu në dukje dobësinë e pozicionit të tij në denoncimin e kultit të personit që prodhoi stalinizmi dhe në të njëjtën kohë, po denoncojnë vetë Hrushovin, i cili është duke u kërkuar besnikëri ndaj një personalitetit të ri (i tij), edhe kur udhëheqja e tij shmanget dukshëm nga linja e mëparshme ortodokse e komunizmit. Duke lënë mënjanë ndryshimet e thella mbi “bashkekzistencën paqësore”, komunistët më militantë thjesht nuk janë të gatshëm të ndjekin zotin Hrushov në çfarëdolloj drejtimi që ai mund të zgjedhë të shkojë. Me sa duket, Hrushovi nuk e parashikoi këtë.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009