Jerusalemi – nyja Gordiane e paqes
Autori i Lajmit: Nga Qani ALIU“Një lutje në Jerusalem ka vlerë sa dyzet mijë në çdo vend tjetër”-fjalë e urtë arabe.
Konflikti i pandërprerë ne Lindjen e Afërt tani ka mbushur 60 vjet që nga themelimi i shtetit bashkëkohorë Izraelit në vitin 1948. Është njeri nga konfliktet që në historinë e luftërave moderne ka zgjatur shumë kohë,shumë i përgjakshëm me përjetimin e tragjedive te shumta njerëzore nga të dy popujt – hebrenjtë dhe arabët. Sipas statistikave jo te plota ne konfliktin gjashtëdhjetë vjeçare kanë vdekur në mes 91-123 mijë njerëz. Te arabët numri I te vdekurve sillet nga 62mijë e deri më 100mijë veta, ndërsa te Izraelitët ku statistikat për numrin e të vdekurve ku statistikat janë më të sakta thuhet se jetën e kanë humbur 22,750 persona. Sipas studiueseve te këtij konflikti ai është faktori kryesorë për një gjendje të tensionuar dhe kërcënuese për paqen jo vetëm në Lindjen e Afërt por edhe për botën në tërësi. Konflikti Izraelito-Palestinez gjithashtu i ka destabilizuar deri në maksimum marrëdhëniet ndërmjet botës arabo-islamike dhe perëndimit duke ndikuar në veçanti negativisht në marrëdhëniet arabo-amerikane për shkak të ndihmës së përhershme ushtarake dhe diplomatike Izraelit. Si rrjedhojë e këtyre raporteve të tendosura me botën islame ,të cilin fakt e pranojnë edhe strateget amerikane, është paraqitja e disponimit anti-amerikan në formën me ekstreme- të terrorizmit, sinonim i të cilit është Osama Bin-Ladeni.
Pikë më neuralgjike për zgjidhjen e këtij konflikti është qyteti i shenjtë i Jerusalemit (në Hebreishte – “Qyteti i paqes”) ndërsa arabët këtë qytet e quajnë Al-Kudus.
Jerusalemi është qytet shumë i vjetër në regjionin historik të Palestinës dhe është themeluar rreth vitit 1800 p.e.s. me çka mund të thuhet se është njëri ndër qytetet më të vjetra në botë. Në këtë qytet janë takuar dhe gërshetuar shumë kultura nga periudha antike deri në periudhën bashkëkohore. Nëpër këtë qytet kanë kaluar shumë pushtues:Babilonasit , Persianët, Grekët, Romakët, Osmanlinjtë , Anglezët. Qyteti i vjetër i Jerusalemit është i ndare ne 4 kuartë: Çifute, Krishterë, Ermen dhe Myslimane të cilët ne mes veti janë te ndare me mure. Si themelues i Qytetit të Shenjtë konsiderohet mbreti David të cilin e ka shpallur si kryeqytet të mbretërisë së tij. Këtu mbreti Solomon ndërtoi tempullin e pare hebreik dhe Jerusalemi shpallet qytet i shenjtë i tyre.
Romakët Jerusalemin e pushtuan në vitin 63 p.e.s. kurse 7 vite më vone e shkatërruan deri në themel me çka filloi Ekzodi i madh i hebrenjve. Në vitin 637 Jerusalemi pushtohet nga Myslimanët të cilët me këtë qytet kanë udhëhequr deri më vitin 1948 kur formohet shteti Izraelit i cili anketon një pjesë të qytetit kurse në luftën e vitit 1966 tërësisht e okupon atë.
Pa marrë parasysh okupimin e tij nga Izraeli këtu jetojnë pjesëtarët e 3 religjioneve: Hebrenjtë, Krishterët dhe Myslimanët me librat e tyre të shenjta: Talmudi, Bibla dhe Kurani dhe për të gjithë ata Jerusalemi është qytet i shenjtë. Nga objektet sakrale në qytetin e vjetër gjenden 1204 sinagoga, 158 kisha dhe 75 xhami. Për hebrenjtë vendet më të shenjta në Jerusalem janë Muri Perëndimorë ose “Muri i vajit” dhe varret e Davidit dhe Solomonit. Për krishterët është i shenjte për shkak se ne Jerusalem Jezu Krishti është munduar,është kryqëzuar dhe ringjallë. Këtu gjendet edhe rruga “Via Dolorosa” ku Krishti gjatë bartjes së kryqit disa herë është rrëzuar deri sa ka arritur te kodra e Golgotes ku atë e kanë gozhduar në kryq. Për myslimanët Jerusalemi, pas Mekës dhe Medinës, është vendi i tretë me i shenjtë i cili i obligon ata për ta vizituar sepse këtu gjendet xhamia Al-Aksa para se cilës në një gurë gjendet gjurma e kalit të Muhamedit a.s. prej nga ai është ngritur në qiell dhe i është bashkuar profetëve tjerë islam.
Pas luftës së përgjakshme gjashtë dekadëshe, Bashkësia Ndërkombëtare në këtë moment si duket është e interesuar me një sinqeritet më të madh të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për këtë konflikt. Në fillim të dhjetorit të këtij viti shefat e diplomacisë të vendeve të UE-se dolën me një deklaratë të përbashkët për një teme të ndjeshme dhe të koklavitur për statusin e Jerusalemit duke kërkuar që në bisedat e ardhshme palestinezë-izraelite duhet siguruar që Jerusalemi të bëhet kryeqytet i Izraelit dhe i shtetit Palestinez. Ky qëndrim i fortë i Evropianëve zgjon shpresat për një zgjidhje më të shpejtë dhe me të drejtë të këtij konflikti dhe me të bëhet presion më i madh ndaj Izraeliteve. Qëndrimi i UE-së ka qenë parimore edhe më parë se ata “nuk do të pranojnë as një ndryshim të kufirit që ekzistuar para vitit 1967,duke përfshirë edhe çështjen e Jerusalemit,pos atyre çështjeve që kanë të bëjnë me marrëveshje eventuale të të dy palëve”. Me këtë qëndrim UE-ja në mënyrë eksplicite definon qëndrimin e saj se Izraeli duhet të tërheqjet nga gjitha territoret e okupuara të vitit 1967 duke përfshirë edhe pjesën lindore të Qytetit të shenjtë. Reagimet e Palestinezeve rreth qëndrimit të Evropianeve kanë qenë shumë pozitive duke konstatuar se kjo paraqet “fitore të legjitimitetit dhe të drejtës ndërkombëtare”.
Izraelitet në anën tjetër janë shumë të shqetësuar për qëndrimin pro-palestinez të UE-së dhe pohojnë se ky qëndrim “nuk ndihmon në përtrirjen e bisedave dhe prejudikojnë përfundimet e rezultateve të bisedave”. Se sa është i ndërlikuar ky problem tregon fakti se Kneseti izraelit i dha përkrahje një projekt ligji i cili parasheh që çdo ndryshim i territorit shtetërorë duhet të shkojë në referendum popullorë duke përfshirë Rrafshnaltën e Golanit dhe Jerusalemin lindorë. Rezultatet e një referendumi të tillë mund të parashihen!.
Në këtë rast izraelitet llogarisin në mbështetjen e amerikanëve të cilët nëpërmjet Senatit(1990) dhe Kongresit (1995) kishin votuar për një Jerusalem të pandashëm. Administrata e presidentit të ri amerikan Barak Obama ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Izraelit duke kërkuar nga Netanjahu ndërprerjen e ndërtimit të vendbanimeve hebreite në bregun perëndimorë dhe Jerusalemit lindorë dhe vazhdimin e bisedave paqësore. Kryeministri izraelit në qershor pranoi formulën e “dy shteteve” dhe ndaloi ndërtimin e vendbanimeve të reja në territoret palestineze.
Edhe pse ekziston një aktivitet politik permanent ndërkombëtare për zgjidhjen e këtij konflikti më të gjatë të kohës moderne bisedimet e ardhshme do të jenë shumë të vështira për zgjidhjen definitive të konfliktit dhe si problem me i rëndë në këto biseda do të jetë zgjidhje e statusit të Jerusalemit.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009