E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe një sezon i dobët

Autori i Lajmit: Nga John ZoghbyEdhe pse të dhënat ende nuk janë të plota, tani për tani duket se ky sezon do të jetë shumë i ngjashëm me atë të kaluarin. Ky me siguri se nuk është lajm i mirë, por ka mundur të jetë edhe më i keq, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e recesionit dhe shkallën e papunësisë që ka kaluar 10%.
Dihet se shitjet e nëntorit kanë treguar një rritje modeste prej 1.3%, gjë që ishte më shumë sesa që pritej. Një anketë e "Zogby Interactive" e kompletuar javën që shkoi, tregoi se gjysma e amerikanëve të rritur kanë planifikuar që të shpenzojnë më pak gjatë këtij sezoni të festave. Kjo shifër është shumë e ngjashme me atë që ishte fituar pas bërjes së pyetjes së njëjtë në një anketë telefonike në vitet 2007 dhe 2008. Për këtë shkak, mund të presim që shitjet përfundimtare të festave të mos jenë tepër të ndryshme sesa ato të dy vjetëve paraprake.

Realitetet e reja ekonomike

Në rast se keni harruar se si ishte viti i kaluar, atëherë ua rikujtojmë se sezoni i vjetshëm blerës ishte më i dobëti në disa dekada, meqë konsumatorët amerikanë kishin zvogëluar shpenzimet për shkak të ballafaqimit me recesion, humbjen e vendeve të punës dhe krizën e kredive.
Është e qartë se sikur shitësit me pakicë, po ashtu edhe konsumatorët janë përshtatur ndaj realiteteve të reja ekonomike. Blerësit janë në kërkim të mallit "të lirë e të mirë", kurse shitësit janë duke u përpjekur që tua plotësojnë këtë kërkesë. Sikur që kam thënë edhe më parë, kjo dinamikë nuk do të ndryshohet në mënyrë dramatike as pas rimëkëmbjes ekonomike.

Shpenzimet për festa

Një segment i rëndësishëm i shoqërisë është duke u larguar nga vlerat materiale kah një jetë më e thjeshtë, e bazuar në nevojat shpirtërore dhe në vetë-përmbushje. Nevoja për kursim këtë sezon festash përshtatet shumë mirë me këtë mentalitet, gjë që mbështetet edhe nga anketa jonë interaktive e dhjetorit. Ja disa nga gjetjet tona:
- 49% e të rriturve të SHBA-së thonë se këtë sezon festash do të shpenzojnë më pak sesa që kanë shpenzuar sezonin e kaluar. Vetëm 9% thonë se do të shpenzojnë më shumë, 40% planifikojnë që të shpenzojnë njësoj sikur në vitin 2008. Kemi vërejtur dallime të vogla në shpenzime, te njerëzit me të ardhura të ndryshme. Të gjithë planifikojnë që të kursejnë.
- 58% e të anketuarve planifikojnë që të shpenzojnë më pak se 500 dollarë për këtë sezon. 22% deklarojnë se do të shpenzojnë nga 501 deri 1,000 dollarë, kurse 13% më shumë se 1,000 dollarë.
Në tetor, NRF (National Retail Federation) lëshoi rezultatet e anketës së tij të nëntorit, ku shihet se konsumatorët e SHBA-së planifikojnë që të shpenzojnë mesatarisht 682.74 dollarë në blerje gjatë këtij sezoni festash, që është një rënie për 3.3% nga viti i kaluar.
- Njerëzit me të vërtetë planifikojnë. 52% e të rriturve të SHBA-së kanë caktuar me saktësi se sa do të shpenzojnë gjatë festave të fundvitit, ku 92% e tyre thonë se ia kanë dalë të mbesin brenda kufijve të shpenzimeve të planifikuara.
Ne donim që ta testonim me të vërtetë këtë gatishmëri të njerëzve për planifikimin e shpenzimeve gjatë festave, prandaj kemi shtruar pyetjen, se çka do të bënin sikur ta shihnin një dhuratë të përsosur për dikë, por blerja e tij do të dilte jashtë shpenzimeve të planifikuara nga ta. 40% kanë deklaruar se do ta blinin atë dhuratë; 35% do të zgjidhnin një dhuratë tjerët, më të lirë, për të mbetur në suaza të harxhimeve të planifikuara; kurse 20% do ta kthenin ndonjë dhuratë tashmë të blerë, për të mundësuar blerjen e dhuratës më të mirë.
Mendoj se numri i këtyre konsumatorëve të vetëdijesuar që planifikojnë harxhimet paraprakisht, do të rritet edhe më shumë.

(Autori është president dhe shef ekzekutiv i kompanisë anketëbërëse "Zogby International").

Ky lajm është publikuar: 23/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›