E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF zhvillon Asamblenë, përgjysmohet buxheti

SHKODER- Federata Shqiptare e Futbollit ka mbajtur sot në Shkodër Asamblenë e Zakonshme Vjetore, e cila vinte pas një viti të mbushur me akuza të pafundme dhe me skandale të njëpasnjëshme. Në qytetin më të madh verior, delegatët e klubeve u mblodhën për të diskutuar e zgjidhur probleme, por në të vërtetë, Asambleja ishte një “paçavure”, ku të gjithë ngrenë duart e miratojnë nën stilin “yes man!”. Të gjithë i janë bindur asaj ç’ka ka kërkuar FSHF, pa patur asnjë mëdyshje dhe pa bërë minimumin e diskutimit apo dhënies së ideve, duke lënë të kuptohet se kishin shkuar në Shkodër për një pasdite të këndshme. Nën këtë frymë, Federata miratoi buxhetin e ri, që do të jetë 5,6 miliardë lekë, ndërkohë që një vit më parë, buxheti kapi shifrën rekord të 11.5 miliardë lekëve të vjetra. Kjo rënie ka përkuar sidomos me uljen e të ardhurave nga e drejta Tv e kombëtares. “Do të ketë shkurtime të mëdha të shpenzimeve administrative”, thanë zyrtarët e FSHF-së, referuar masave drastike të uljes së të ardhurave. Të hyrat e tjera në arkat e Federatës, janë ato nga biletat e kombëtares, nga sponsorët, por edhe nga gjobat e mëdha që u janë vendosur klubeve.
Komisioni
Asambleja ka miratuar formalisht edhe Komisionin e Etikës, që do të merret me trukimet. Ky Komision, që ishte paravendosur, u bë si nevojë e kohës, duke parë se FSHF nuk po zbatonte direktivat e UEFA-s, për hetimin e ndeshjeve të dyshuara. Federata i linte mënjanë raportet e ardhura nga Nioni, me arsyetimin se ato janë vetëm dyshime dhe asgjë më shumë. Por, që këto dyshime të mos mbeteshin të tilla, UEFA kërkonte të zhvilloheshin hetime, të cilat nuk nisën asnjëherë. E gjendur nën presion, FSHF vendosi të ngrinte këtë komision, që veç të tjerësh do të ketë edhe figura si Bejkush Birçe, Bashkim Koka apo Adriatik Braçe. Një tjetër vendim ishte ai i ngritjes së Komisionit për verifikimin e titujve të fituar nga Tirana dhe Vllaznia në kohën e luftës. Në fakt, një temë e tillë ka qenë diskutuar shpesh, por asnjëherë më parë nuk ishte marrë një vendim që të niste një hetim.
E drejta TV
Një nga çuditë e Asamblesë së sotme, ka qenë zbulimi i shifrës me të cilën u shit e drejta televizive e ndeshjeve të kombëtares për edicionin e Botërorit 2014. Ajo është vetëm 1 milion euro, pra as 20 % e shumës së marrë në rastin e Euro 2012. Është ky shkaku i uljes së buxhetit, por edhe fakti se shumën e stërmadhe të marrë edicionin e kaluar, FSHF e ka shpërdoruar si mos më keq, me udhëtime të pafundme të zyrtarëve të saj. E drejta TV zakonisht është një nga burimet kryesore të të ardhurave, por fakti që Shqipëria bën pjesë në një grup me skuadra të dorës së dytë si Zvicra, Sllovenia, Norvegjia, Qipro apo Islanda, ka bërë që të ardhurat prej saj të ulen ndjeshëm.
Trukimet
Një nga temat, që pritej të shkaktonte më shumë diskutime sot, ishte ajo e trukimeve. Duke parë akuzat e pafundme të ngritura gjatë gjithë vitit, pritej që ndonjë prej delegatëve të jepte një ide se si mund të luftohej ky fenomen. Por, përveç Dukës që e përmendi këtë problem, askush tjetër nuk hapi gojë. E ndërkaq, presidenti i FSHF-së ka gjetur një zgjidhje origjinale për të luftuar trukimet, duke sulmuar mediat, që sipas tij, spekulojnë. Duka iu referuar rastit të ndeshjeve të kombëtares me Argjentinën dhe Malin e Zi, kur pas një përgjimi të policisë greke, ai tha se shtypi kërkonte të bënte qëllimisht me faj kombëtaren. “Kam vënë re një dëshirë për të spekuluar te një pjesë e medias, se gjoja kombëtarja jonë trukon ndeshje, duke manipuluar kështu opinionin publik. Unë e them me përgjegjësi të plotë që kjo nuk ka ndodhur”, tha ai. Çudia qëndron në faktin se lajmet e një muaji më parë mbi kombëtaren, nuk u publikuan nga shtypi shqiptar, por nga ai grek dhe nuk i referohej thashethemeve, por përgjimeve të policisë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›