E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ranieri i zuri vendin, Deshamp s’do hakmarrje

ITALI- Didier Deshamp ka shumë arsye për të kërkuar fitoren në ndeshjen e sotme mes Marsejës dhe Interit, në të tetat e finales së Champions League. Përballë është ekipi zikaltër, shumë i urryer për një ish-juventin si ai, është Ranieri, njeriu që i zuri vendin në vitin 2007 në pankinën bardhezi, ndërkohë që në lojë është një vend në çerekfinale të Champions. E megjithatë, tekniku francez kërkon të zbusë disi tonet.

“Nuk kam asgjë për t’u hakmarrë, Ranieri erdhi te Juve në kohën kur unë isha larguar, - tha trajneri me origjinë baske. – Kur një trajner është në diskutim, e ka të vështirë të menaxhojë skuadrën. E kam kaluar edhe unë një problem të tillë këtë vit, por Ranieri mendoj se ka eksperiencën e nevojshme për t’ia dalë mbanë”, shtoi Deshamp. Ai e kaloi periudhën më të keqe te Marseja, e cila tashmë e ka siguruar objektivin minimal në Kupat e Evropës. “Vitin e shkuar luajtëm në të tetat e finales, ndërsa këtë vit objektivi ishte të riktheheshim këtu dhe ia dolëm”, deklaroi Deshamp.

Marseja do të jetë pa sulmuesin Lois Remi të dëmtuar, por i gatshëm për Deshamp do të jetë Brandao. Në lidhje me epokën italiane, tekniku francez shprehet: “Kam kaluar shumë kohë në Itali, por pasaporta ime mbetet franceze. Gjeta një ambient shumë profesional në Itali, pasi skuadrat e Serisë A kanë një kulturë të rëndësishmë për anën taktike. Dinë të futen drejt e në thelb. Ndaj Interit e di që do të kem me vete tifozët e Marsejës, por edhe shumë juventinë. Gjithsesi, nuk dua të hyj në luftën Juve-Inter, që i ka bërë shumë dëme futbollit italian”.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›