Majlinda Kelmendi, e treta në botë
Xhudistja më e mirë kosovare dhe njëra ndër më të mirat në botë, Majlinda Kelmendi, po ecën sigurt drejt "Londra 2012", madje me hapa më të shpejtë se që ka planifikuar ajo dhe trajneri i saj. Pas tri medaljeve të arta të fituara në vetëm tri javë të muajit tetor, ajo ka gjetur veten në majë të renditjes olimpike. Në renditjen e bërë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) pas turneut Grand Prix në Abu Dabi, ku Kelmendi u stolis me medaljen e arit, ajo është e treta me 740 pikë. Në fakt, në renditje janë tri xhudiste para saj, por meqë dy janë japoneze, atëherë sipas rregullave të përcaktuara për kualifikim, njëra bie nga lista, pasi në Olimpiadë nuk lejohet të marrin pjesë dy xhudiste nga i njëjti shtet në të njëjtën kategori, në këtë rast, atë deri në 52 kilogramë. Përmes kualifikimeve, direkt në olimpiadë nga secila kategori, kualifikohen 14 xhudiste nga 14 vende të ndryshme. "Për ne ky rezultat është më i mirë sesa ai që kemi pritur ", ka thënë trajneri i Kelmendit, Driton Kuka.