Halbauer: KFOR-i nuk do ta largojë barrikadën mbi Ibër

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Folker Halbauer, ka siguruar kryetarin paralel të Mitrovicës, Dragisha Vllashkoviq, se KFOR-i nuk do ta largojë barrikaden në urën e Ibrit.
“Barrikada nuk paraqet pengesë për liri të lëvizjes, veç simbol politik dhe duhet të zgjidhet në rrugë politike. Besoj se do të zgjidhet kjo çështje dhe nëse do të arrihen marrëveshjet politike në mes Prishtinës dhe Beogradit, atëherë edhe barrikada do ta humbte rëndësinë”, u tha gjenerali Halbauer gazetarëve, pas takimit me kryetarin paralel të Mitrovicës, shkruan zëri.
Ai ripërseriti se KFOR-i nuk do ta largojë barrikadën, por ka sqaruar, se nëse palët mirren vesh për ta larguar këtë pengesë, atëherë eskavatorët e KFOR-it do të jenë në dispozicion.
Kryetari paralel i Mitrovicës, Dragisha Vllashkoviq, tha se ka marrë garanci nga përfaqësuesit e KFOR-it, se barrikadat në veri të Kosovës nuk do të largohen me dhunë.
“Kur të jemi të sigurt se kemi sigurinë e plotë, që fëmijët tanë, familjet dhe pasuria të jenë të sigurta, atëherë do të vendosim vetë t’i largojmë pengesat, e tani nuk është momenti, sepse populli në këto hapësira është i brengosur për sigurinë e vet”, tha Vllashkoviq./Indeksonline/