FSK-ja ndërton urën e përkohshme në Rakovinë

Forca e Sigurisë e Kosovës do të ndërtojë urën e përkohshme në fshatin Rakovinë, për të bërë të mundur qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve. Kjo është bërë e ditur pas një takimi që përfaqësues të Ministrisë së FSK-së, asaj të Infrastrukturës dhe KK të Gjakovës kanë pasur të premten, njofton Koha Ditore e së shtunës.
Sipas një komunikate që më pas e ka lëshuar Zyra e informacionit e KK të Gjakovës, thuhet: “Me mbështetje të gjithanshme të Komunës, por edhe të dy ministrive të vendit, nga ky takim ka dalë përfundimi se deri në eliminimin e dëmeve në urën e ndërtuar pas luftës të ndërtohet një urë tjetër provizore, në mënyrë që të mundësohet edhe funksionimi i trafikut në këtë magjistrale”.
Pritet që punët të nisin më 22 prill, ndërsa parashikohet që ato të zgjasin dy javë.
Kjo urë është dëmtuar para disa javësh, me rastin e rritjes së nivelit të ujit të lumit Drin, që për pasojë e kishte bërë atë të pakalueshme dhe kishte ndalur qarkullimin në atë pjesë të rrugës magjistrale./Indeksonline/