FSK merr pjesë në një ushtrim ndërkombëtar

Me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë, një njësit i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga një oficer, një nënoficer dhe 10 kadetë, të premten udhëtoi për në Maqedoni, ku do të marrë pjesë në ushtrimin fushor ndërkombëtar “Kampi Veror 2011”, i cili mbahet prej datës 2 deri më 12 korrik.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, pjesëmarrjen e FSK-së në këtë ushtrim e ka vlerësuar një të arritur të madhe për vendin, pasi që kjo është hera e parë që FSK-ja merr pjesë në një ushtrim me karakter ndërkombëtar.
“Është arritje e madhe për disa arsye. Në rend të parë, sepse kjo është një shprehje apo një fryt i bashkëpunimit të ngushtë që e kemi me Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë. Tanimë është krijuar një perceptim dhe një bindje edhe në Maqedoni po edhe në rajon në përgjithësi, por edhe më gjerë se Kosova i ka ndërtuar kapacitetet e nevojshme i ka arritur standardet e kërkuara për të qenë pjesë edhe e ushtrimeve të përbashkëta ndërkombëtare. Por edhe për të qenë pjesë edhe e të gjitha iniciativave dhe strukturave, projekteve rajonaleve të mbrojtjes dhe sigurisë”, ka thënë Çeku.
Sipas ministrit Çekut me këtë edhe një herë po dëshmohet se Kosova është e gatshme dhe e ka vullnetin e mirë politik, për të kontribuar në ruajtjen dhe ndërtimin e paqes në rajon dhe më gjerë.
Në këtë ushtrim fushor pjesëmarrëse do të jenë edhe shumë shtete të tjera si Shqipëria, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Estonia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe SHBA-të.
I pyetur se a sheh ndonjë problem për bashkëpunim të FSK-së me vendet pjesëmarrëse, pasi që dihet se aty do të jetë pjesëmarrëse edhe Serbia. Ministri, Çeku ka thënë se FSK-ja është e hapur për çdo bashkëpunim.
“Nuk do të jetë problem. Ne nuk kemi asnjë problem dhe asnjë arsyeje që dikush të jetë problem për neve, apo dikujt t’i skajohemi, apo të ndihemi inferior ndaj dikujt tjetër. Ne jemi shtet. Jemi FSK, kemi qëndrimin tonë. Kush dëshiron të bashkëpunojë është i mirëseardhur. Ne jemi të gatshëm kush nuk do është problem i tij”, ka thënë Çeku.
Ushtrimi fushor ndërkombëtar “Kampi veror 2011”, i cili mbahet në poligonin ushtarak në Krivolak, përbëhet nga pjesa akademike, pjesa për arritjen e aftësive relevante, dhe pjesa për implementimin e njohurive dhe aftësive, ku përfshihet zhvillimi i ushtrimeve të përbashkëta. (KosovaPress)