E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cherçiz Guevera

Nga Ardian Jasiqi më 01 korrik 2011 në ora 13:02

Sa e mbani Che Guevaren pse mos ta mbani Çerçiz Topullin apo “The Original Che”,siç e quan kompania Folkan Shqip, heroin kombëtar Çerçiz Topulli në maicat e tyre unike, të cilat i kanë hedhur në treg dhe kanë karakter kombëtar.

Por, nuk është vetëm Çerçiz Topulli që është në këto fanella. Aty zë vend patrioti Hasan Prishtina, shqiponja dykrenore dhe personalitete të tjera kombëtare të historisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ideja në fillim ka lind kur ne i kemi parë njerëzit e tjerë duke veshur maica me flamur të Anglisë, Amerikës, por edhe të shteteve të tjera. Kështu që ka lindur ideja që të bëjmë maica me karakter kombëtar shqiptar”, thotë Donik Karaqi për Express.

Sipas tij, kështu ka ardhur deri te formimi i kompanisë që udhëhiqet nga ai dhe Qëndrim Daka, më të cilën ai ka nisur edhe krijimin e këtij brendi. Ai thotë se maicat që i krijojnë janë maica unike dhe shumë cilësore.

“Maicat janë të pambukut dhe prodhohen në Kosovë, ndërkaq shtypi bëhet në Stamboll”, thotë ai.

Mision primar i kompanisë, sipas një publikimi në Facebook, është që shqiptarët “të fillojnë të ndihen krenarë me kombin e tyre dhe sa më shumë t’i përdorin simbolet tona autentike shqiptare”.

“Ne përmes dizajneve tona, që janë një gërshetim i traditës shqiptare dhe dizajnit bashkëkohor, do të mundohemi që sa më shumë të promovohen simbolet tona”.
Emri i brendit nënkupton FOLKAN (flasin) SHQIP”, shkruan në një faqe në Facebook, të cilën mund ta gjejnë të gjithë të interesuarit duke kërkuar “Folkan Shqip”.

Karaqi thotë se për momentin kanë shumë kërkesa, ndërkaq shton se të interesuarit që kanë ide për dizajn po ashtu mund të paraqesin ato dhe se atyre që do t’u përkrahet ideja do të marrin 10 për qind nga fitimi i shitjes.

“Sasia është e limituar, por ne jemi duke biseduar që të kemi një shtrirje në të gjitha trojet shqiptare dhe pritet që edhe në Prishtinë të ketë një dyqan me maica të këtilla”, tha ai.

Për momentin ata të cilët dëshirojnë të kenë maica të këtilla duhet të përzgjedhin madhësinë dhe dizajnet dhe ta bëjnë porosinë në faqen “Folkan Shqip” në Facebook.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›