E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet me 10 vite burg për terrorizëm

PRISHTINË- Një trup gjykues i përbërë nga gjykatës vendorë dhe të EULEX-it, të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, dënoi sot Amir Sopën, i njohur edhe si Kadri Kameri, me 10 vite dhe 1 muaj burg , pasi u shpall fajtor për veprat penale të terrorizmit dhe mbajtjes së paligjshëm të armëve.

Sipas njoftimit të dhënë sot nga EULEX, gjykata vërtetoi se Amir Sopa ka marrë pjesë aktive në një organizatë terroriste, Armata Kombëtare Shqiptare në vitin 2003.

Më 20 korrik 2003, Amir Sopa ka goditur me predhë nga një raketahedhës që e kishte në pronësi të paligjshme, drejt zyrës së Kryeprokurorit të Qarkut në objektin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Ndërkohë me 10 maj 2003, ai i kishte dërguar një letër ku e kërcënonte me vdekje Ismet Beqirin, i cili në atë kohë mbante postin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Ndjekja penale u bë nga një prokuror kosovar i Prokurorisë Speciale të Kosovës. Aktgjykimi është nxjerrë më 29 qershor 2011, ndërkohë që palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditëve.
(e.m/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›