Në kufirin Kosovë-Shqipëri vetëm një kontroll
Marrëveshja që do të shkurtojë radhët në kufirin Kosovë – Shqipëri ka nisur të zbatohet që nga e enjtja, pak pas mesdite.
Marrëveshja e Qeverisë së Shqipërisë për kryerjen e procedurave të përbashkëta të kontrollit të hyrje-daljeve nëpërmjet pikave të kalimit kufitar Shqipëri – Kosovë ka nisur të zbatohet saktësisht në orën 13:20 të ditës së enjte, duke mundësuar që automjetet që kalonin kufirin t’i nënshtroheshin vetëm një kontrolli në kufi.
Që nga përfundimi i sezonit veror vitin e kaluar, pasagjerët janë ndaluar për kontroll edhe nga pala kosovare, edhe nga ajo e Shqipërisë, por tash e tutje do të ndalen vetëm në një kontroll. Automjetet dhe udhëtarët që hyjnë në Shqipëri nga Kosova kontrollohen vetëm në Morin, ndersa ato që hyjnë në Kosovë nga Shqipëria kontrollohen vetëm në Vermicë.
Policia e Kosovës do të ketë gjatë 24 orëve dy përfaqësues të saj në Morin, ndërkohë që edhe Policia e Shqipërisë do të ketë të njëjtin numër policësh në Vermicë. Marrëveshja do të jetë e përhershme dhe vënia në zbatim e saj lehtëson kalimin e mjeteve dhe të pasagjerëve në këtë sektor kufiri, në të cilin ditët e fundit janë vërejtur radhë të gjata disa kilometra e që përkojnë me sezonin turistik. Marrëveshja i jep zgjidhje të plotë lëvizjes së veturave dhe pjesërisht lëvizjes së kamionëve. Qeveria shqiptare ka miratuar më 8 qershor tri vendime që kanë të bëjnë me procedurat e përbashkëta të kontrollit në pikëkalimet kufitare Morinë-Vermicë, Qafë-Prushi (Has) - Qafë-Prushi (Gjakovë) dhe Qafë-Morinë (Tropojë) - Qafë-Morinë (Gjakovë).
Implementimi i këtij vendimi është bërë i mundur pas tri javësh, vetëm pas instalimit të sistemit TIMS edhe në Vërmicë. Që nga dita e enjte edhe pika e kalimit kufitar e Vermicës është e përfshirë në sistemin TIMS, duke i dhënë akses të plotë në bankën e të dhënave të INTERPOL-it për kontrollin e personave, dokumenteve dhe automjeteve në kërkim që do të thotë se Kosova është anëtarësuar "de facto" në INTERPOL dhe EUROPOL. Në zbatimin e Marrëveshjes për kryerjen e procedurave të përbashkëta të kontrollit të hyrje-daljeve kanë marrë pjesë Genc Merepeza, shef i Kufirit dhe i Migracionit në Drejtorinë e Policisë Kufitare të Shqipërisë, përfaqësues të Misionit PAMECA, të Policisë kufitare të Kosovës etj. Merepeza bashkë me përfaqësuesin e misionit PAMECA dhe të Ambasadës Amerikane kanë punuar në Kosovë gjatë këtyre ditëve për të bërë mundur instalimin e sistemit TIMS edhe në Kosovë.
Sipas drejtorit të Kufirit për rajonin e Kukësit, Agron Baliaj, hyrja e Kosovës në sistemin TIMS ka qenë një nga kushtet kryesore që misioni PAMECA dhe Ambasada Amerikane kishin vendosur për ta zbatuar Marrëveshjen. (kd)