Fabio Kanavaro: Një “Top të Artë” për kritikët e Italisë
.jpg)
Nga Altin B. Kodra
Kapiteni i përfaqësueses së Italisë, kampione në fuqi e botës, Fabio Kanavaro, u vlerësua për paraqitjen e tij në Botërorin e këtij viti në Gjermani, kur u nderua dje me "Topin e Artë", si Futbollisti më i mire evropian i vitit. Qendërmbrojtësi i lindur në Napoli kaloi nga Juventusi te Reali i Madridit, pas suksesit botëror që përfaqësuesja "axurre" arriti në korrik, por e gjen veten në pozicionin e pazakontë të fitimit të "Topit të Artë", në një vit kur skuadra e tij ra nga kategoria. Kanavaro e ndihmoi Juventusin drejt të dytit titull radhazi të kampiones së Serisë A, sezonin e shkuar, por klubit torinez iu hoqën të dyja këto trofe dhe u zbritën në kategorinë e dytë të futbollit italian, në Serinë B, pas vendimit që të dhënë nga një gjykatë sportive mbi skandalin e përgjimeve dhe trukimeve në futbollin e gadishullit të Apenineve. Suksesi i Italisë në Botëror u arrit pavarësisht hetimeve në vazhdim mbi këtë cështje dhe Kanavaro shkoi në "Gjermani 2006" duke u përballur me një kritikë të ashpër, vecanërisht pasi ai i doli në mbrojtje drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Luciano Moxhi, i cili ishte në qendër të këtij skandali. Dhe ishte e pazakontë për Kanavaron që ta gjente veten nën rrebeshin e kritikave të shtypit dhe opinionit publik. Gjatë gjithë karrierës së tij, qëndrimi i tij pozitiv, fiziku mesdhetar dhe buzëqeshja e ngrohtë kanë kontribuar në shndërrimin e tij në një nga lojtarët më popullorë në Serinë A. Ka patur gjithsesi caste të caktuara, kur imazhi i tij i një sportisti të pastër është kërcënuar, sic ndodhi me një dokumentar televiziv që e tregonte atë duke iu nënshtruar një injeksioni në prag të finales së Kupës UEFA më 1999-n, kur skuadra e tij e atëhershme, Parma, u përball me Olimpikun e Marsejës. Në pozicionin e tij si kapiten i Italisë në Botërorin e këtij viti, sjellja e Kanavaros ishte shembullore. Ai ishte i palëkundur në dhomat e zhveshjeve, besnik në maksimum kundrejt trajnerit Marcelo Lipi dhe duke mos ngurruar aspak të fliste hapur në publik për mënyrën e lojës së skuadrës së tij. "Ne duhet të fillojmë të bëhemi italianë cinikë dhe sekreti i shkuarjes larg në veprimtari si kjo është që të rigjejmë atë mentalitet mbrojtës që personifikon kulturën e futbollit italian", - tha ai gjatë zhvillimit të Botërorit të këtij viti. Stili dhe cilësia e tij e lojës i kanë dhënë atij statusin e mbrojtësit më të mirë të Serisë A, duke e vendosur atë në radhë me një sërë mbrojtësish të famshëm italianë. Ish-mbrojtësi i Milanit, Franko Barezi, dhe kapiteni i kuqezinjve milanezë, Paolo Maldini, kanë shijuar të dy një reputacion si "mbrojtësit më të mirë në botë", por asnjëri prej tyre nuk arrit të fitonte këtë cmim të vecantë individual të futbollit evropian, që zakonisht u është dhënë lojtarëve të sektorit të mesfushës dhe të sulmit. Ky cmim i dhënë reflekton mbi ndikimin e madh që Kanavaro pati në suksesin e Italisë në Botërorin e këtij viti. Ai ishte një "shkëmb" i patundur në finalen kundër Francës, që u fitua pas goditjes së 11-metërshave, por paraqitja e tij më e shkëlqyer ishte ajo e fitores në gjysmëfinale kundër Gjermanisë. Në ato 120 minuta të ndeshjes së luajtur në Dortmund, ish-mbrojtësi i Parmës, i cili e ka veshur plot 105 herë fanellën e përfaqësueses së tij, shpalosi cilësitë e tij më të mira, në pozicionimin e tij në fushën e blertë, në ndërhyrjet e sakta dhe në leximin e përkryer të lojës.