LSI: Më shumë vëmendje për sportin

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi sot (e hënë) një vëmendje më të madhe të institucioneve të shtetit ndaj sportit. Në një konferencë për shtyp, anëtari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI, Viron Bezhani, u shpreh se "sporti është aktualisht në një gjëndje kolapsi dhe po të vazhdojë kështu pasojat do të jenë të vështira për t'u riparuar".
Zoti Bezhani u shpreh se financimi shtetëror për sportin është zvogëluar dhe sipas tij, gjatë vitit 2006 financimi ka qenë 40 % më i vogël sesa ai i vitit 2005. "Pakësimi i fondeve ka sjellë mosfinancimin e sportit për fëmijët, duke i hequr sportit ndikimin e tij pozitiv shëndetësor e argëtues në moshat që kanë më tepër nevojë për të. Për të gjitha këto arësye, ne propozojmë dhe kërkojmë që për vitin e ardhshëm të dyfishohet buxheti për sportin në Shqipëri", tha zoti Bezhani.
Ai tha se sporti në Shqipëri duhet të jetë i përfaqësuar në kabinetin qeveritar me një figurë të rëndësishme, ndryshe nga ajo që figuron tani i thjeshtëzuar në drejtori.