E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa UEFA, kualifikimi në horizont

Kupa UEFA zhvendoset në qendër të vëmendjes së futbollit evropian të klubeve, me ndeshjet e katërta në grupe, që luhen të mërkurën dhe të enjten, dhe dyshja holandeze e Ajaksit dhe AZ Alkmarit janë midis atyre skuadrave që synojnë të sigurojnë kalimin në turin pasardhës, atë të turit të 32-shes, të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit të vjetër. AZ Alkmar nuk luajtur në ditën e tretë, por vjen në ndeshjen e radhës, nesër në fushën e vet përballë Sllovan Liberecit, e ndërgjegjshme se një pikë do të mjaftonte për t'i siguruar një vend në treshen kryesuese të grupin C. Gjithsesi, kjo nuk do të jetë e lehtë përballë një skuadre si Libereci, për të cilën fitorja do të mbartte të njëjtin shpërblim, kualifikimin.
Ndërkaq, Ajaksi do të jetë i sigurt për të marrë të paktën vendin e tretë në grupin F, nëse do të arrijë të mundë të enjten në mbrëmje në Amsterdam kryesuesen e grupit, Espanjolin. Kjo e fundit ka nevojë për një pikë të vetme për të siguruar kalimin për më tej. Njihen tashmë pesë skuadrat që kanë siguruar vendin e tyre në turin pasardhës dhe këto janë "trio"-ja angleze e Njukasëllit, Totenhemit dhe Blekbërn Roversit, italianët e Parmës dhe gjigantja skoceze e Gllasgou Rejxhërs, e cila ëndërron të shkojë deri në finalen e madhe të kësaj veprimtarie, që do të zhvillohet pikërisht në qytetin e saj.
Në ndeshjet e tjera të së mërkurës, Makabi Haifa mund të sigurojë vendin për më tej në Kupën UEFA, nëse merr të paktën një barazim në fushën e Livornos, ndërsa në grupin B, Dinamo e Bukureshtit do të kualifikohet nëse arrin të mposhtë Bajer Leverkusenin në Rumani. Në grupin C, tri pikët e plota kundër Gras'hopersit në Zyrih do të mjaftojnë që fituesja në fuqi, Sevilja, të kalojë në turin e 32-shes së kësaj veprimtarie. Në grupin D, si Lensi, ashtu edhe Odensa do të sigurojnë kualifikimin me fitore ndaj kundërshtarëve të drejtpërdrejtë, përkatësisht Parmës dhe Osasunës.
Nonsi mund të sigurojë një vend midis tre të parave të grupin E, nëse do të arrijë të mundë Fejënordin në Francë, ndërsa në grupin G, Panathinaikosi do të sigurojë vendin në turin tjetër, nëse do të ngadhënjejë në fushën e vet kundër rumunëve të Rapidit të Bukureshtit. Ndërkohë, një fitore e Rapidit do t'i mjaftonte rumunëve për t'u kualifikuar për më tej, në varësi të rezultateve të tjera. Dhe, në fund, në grupin H, Fenerbahce mund t'i bashkohet Njukasëllit në fazën tjetër të kësaj veprimtarie, nëse fiton në Spanjë kundër Celta Vigos dhe Eintrahti i Frankfurtit nuk arrin të marrë pikët maksimale kundër kryesuese së grupit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›