Fabregas, asistuesi më i mirë në La Liga

Cesc Fabregas me paraqitjet e tij deri më tani gjatë këtij stinori ka heshtur kritikët që dyshonin në të gjatë edicionit të kaluar. Mesfushori i Barcelonës ka bërë avancim të madh në takimet e fundit, duke ofruar asistime, lidership e madje edhe gola duke u shndërruar në futbollist kyç në ekipin e Tito Vilanovës.
Ish kapiteni i Arsenalit ka luajtur në secilën ndeshje të La Ligës këtë stinor, përfshirë duelet e fundit kundër Deportivos dhe Rayo Vallecanos dhe ka bërë shtatë asistime, duke kryesuar në këtë kategori në ligë. Fabregas asistoi për golin e parë të David Villës kundër Vallecanos, në momentin vendimtar kur skuadra kishte vështirësi të thyente mbrojtjen e vendasve.
Fabregas ka bërë të qartë se preferon të luajë sa më përpara në mënyrë që të jetë në gjendje që sa më shpesh të rrezikojë portat kundërshtare. Përveç se kryeson me asistime, Fabregas ka shënuar tre gola.
Me formën e tillë të Fabregasit, Vilanova nuk do të hezitojë të aplikojë rotacionin duke e angazhuar atë sa herë që të vendos të pushojë Iniestën ose Xavin.